E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas kthimit nga Roma, Meta: Shqiptarët, pa viza drejt BE-së



Pas kthimit nga Roma, ku ka marrë mbështetjen e homologut italian, Franco Frattini, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, bëri dje të ditur se shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet e BE-së, brenda vitit të ardhshëm. “Kjo mbështetje përqendrohet në drejtim të ecjes para me aplikimin për statusin e vendit kandidat, si dhe për shpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së", - informoi Meta. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te bisedimet me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, i cili vlerësoi përpjekjet dhe progresin e madh që Shqipëria ka bërë për të plotësuar kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, veçanërisht në drejtim të dokumenteve të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe një kontrolli më të mirë të kufijve. Meta siguroi se Shqipëria do t'i plotësojë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, por kujtoi se në këtë proces "Shqipëria është nisur nga një start tepër problematik në raport me vendet e tjera të rajonit”. Sipas tij, kur vendet e tjera të rajonit dhe shumë prej tyre që janë pjesë e ish-Jugosllavisë lëviznin në gjithë botën pa viza, shqiptarët nuk dilnin dot nga Shqipëria. “Ne jemi të bindur se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, pasi jemi të përkushtuar në radhë të parë që do të plotësojmë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Shqipëria çdo ditë shënon progres të dukshëm në të gjitha aspektet, ashtu sikurse jemi të bindur se kjo do të jetë një fitore e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët”, - u shpreh z. Meta. Sipas tij, Italia është një mbështetëse e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe njeh e vlerëson progresin e saj, si dhe ndihmon në mënyrë të vazhdueshme vendin tonë për të ecur më tej në këtë drejtim. Meta pohoi se Italia njëkohësisht është dhe një mbështetëse e vendosur edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor. “Ajo, - tha ministri i Jashtëm, - ka qenë një ndër vendet e para që ka insistuar për mbajtjen së shpejti të një samiti tjetër të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, çka, sikurse e dini, është edhe një prioritet në axhendën e Presidencës së ardhshme spanjolle për mbajtjen e një samiti të tillë brenda 6 muajve të parë të vitit që vjen”. “Italia është e bindur se integrimi i Shqipërisë në BE është një avantazh jo vetëm për vendet tona, por edhe për vetë BE-në”, - deklaroi z. Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›