Berisha këshillon prefektët për ndihmën ekonomike, investimet dhe përgatitjen e zgjedhjeve
Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur dje në kryeministri prefektët e qarqeve e të vendit dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor. Qëllimi i takimit ishte dhënia e direktivave për masat që duhet të marrë pushteti vendor në përgatitje të procesit të ardhshëm zgjedhor. Në këtë këndvështrim kryeministri Berisha ka kërkuar marrjen të gjitha masave për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti si kusht parësor për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Ju keni disa detyra shtesë si shpërndarja e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike që përparësia absolute e këtij procesi. Nuk mund të ketë as edhe një pengesë burokratike apo çfarëdolloj në zhvillimin normal dhe shpejtimin e këtij proces. Do të bëni çdo gjë që procesi të ecë me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe në mënyrën më normale. Kjo është detyra e parë e juaja, të mbikëqyrni, të monitoroni procesin, ku dalin pengesa, cilat janë çështjet që dalin në prefekturën tuaj, të ndërhyni energjikisht, të komunikoni me Ministrinë e Brendshme, të komunikoni me Kryeministrin, këtë keni detyrën më kryesore”, është shprehur Berisha. Ai gjithashtu ka kërkuar nga prefektët verifikimin e familjeve në nevojë për ndarjen e ndihmës ekonomike. “Qeveria akordon çdo vit një shumë të madhe për ndihmë ekonomike, 180 milionë dollarë, dhe shpërndarja e saj është një shpërndarje qartësisht e pandershme, sepse në procedurat tuaja ka familje të cilat përjetojnë vërtet mjerim të thellë, ka familje të cilat me të ardhurat që kanë absolutisht kanë një ditë shumë të dhimbshme. Ju jeni aty për t`i dëgjuar ato, për të verifikuar cila është gjendja e tij për të studiuar. Kryetari i bashkisë dhe kryetari i komunës ka detyrën e parë tek ai që është më në nevojë”, - është shprehur Berisha, ndërsa premtoi se qeveria do të trefishojë bursat për studentët. Çështja e tretë për të cilën kryeministri diskutoi me prefektët ishte realizimi i investimeve publike. Sipas tij, realizimi i investimeve është përgjigjja e duhur që i jepet krizës ekonomike. “Çështja e tretë, që është shumë e rëndësishme. Ky është një vit zgjedhjesh dhe kjo është shumë normale, por do të ishte shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme në qoftë se ky vit do të shoqërohej, ta quajmë, me një çmobilizim në disiplinën buxhetore. Disiplina buxhetore në çdo kohë dhe në çdo vend është shtyllë kryesore e funksionimit të tij, tani në kohë krize botërore ajo merr një rëndësi dy herë më të madhe. Në vitin 2008 ne kemi investuar si përqindje e Prodhimit të Brendshëm më shumë se çdo vend në botë. Por kemi një kusht këtë vit, që është dy herë më imperativ se vjet: që investimet të realizohen me çdo kusht. Ne nuk i lëvizim treguesit që kemi përcaktuar me FMN-në, ne do t’u përmbahemi atyre, por kushti antikrizë për Shqipërinë është realizimi i plotë i investimeve”, - është shprehur Berisha në këtë takim.
13 Shkurt 2009