Turi i Vullnetarëve, Rama premton mjedis të pastër
Takimi i radhës së turit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste është zhvilluar dje në qytetin e Laçit. Në takimin me të rinjtë merrte pjesë kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama ka premtuar se në rast të fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit, qeverisja e ardhshme do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë edhe mjedisit të pastër në Shqipëri. “Ne do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët kombëtare dhe nga mbeturinat urbane, që janë bërë kartëvizita turpëruese e atdheut tonë në sytë e të huajve dhe shembulli më i keq që u japim fëmijëve tanë. Sepse s'mund të ketë një Shqipëri, kur shtëpitë dhe apartamentet e secilit prej nesh janë pasqyrë e pastërtisë dhe një Shqipëri ku shtëpia e përbashkët e atdheut tonë është pasqyrë e papastërtisë. Brenda 4 vjetësh, asnjë qese plastike nuk do të hidhet më në Shqipëri, në plazhe, lumenj, rrugë, në parqet, oborret publike, të cilat do të jenë çliruar përfundimisht nga makthi i qeseve që prej 18 vjetësh janë kthyer në lulen–simbol të pushtetit të politikës së vjetër. Ne nuk mund ta respektojmë atdheun më pak se shtëpinë tonë dhe në Shqipërinë që ne do të qeverisim pastërtia e të gjithë hapësirës ku jetojmë së bashku do të jetë arritja jonë e përbashkët”, - tha Rama. Kreu i PS-së falënderoi dhe inkurajoi të rinjtë për angazhimin e tyre dhe për besimin që ata kanë në realizimin e ndryshimit të madh në Shqipëri. “Unë ju falënderoj pse nuk keni frikë të besoni sot, kur besimi ka hyrë në krizën e vet më të thellë bashkë me Shqipërinë e tradhtuar të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura. Ju nuk keni frikë të besoni sot se ëndrra e Shqipërisë se gjithë Europa është e mundur, se ky vend mund të bëhet si të tjerët, se këtu, në këtë vend, mund të bëhen të mundura ato që prej 18 vjetësh politika e vjetër e interesave të vogla personale në pushtet e për pushtet na i ka bërë të pamundura”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
13 Shkurt 2009