E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kopjoi një politikan të dështuar



Rikardo Hipolito Lopez Merfi ka kandiduar dy herë për President të Argjentinës, në vitin 2003 dhe në vitin 2006. Kandidati argjentinas, fushata e të cilit u mor si model nga stafi i kryeministrit, është ekonomist dhe politikan me profesion. Pseudonimi që Lopez i ka vënë vetes dhe që media e ka përdorur shpesh për ta vënë në lojë, është “Bulldog”. Pasi iu kushtua politikës në vitin 1999, politikani argjentinas, fushata e të cilit u mor si shembull nga Berisha, spikati për kulmin e karrierës së tij vetëm 8-ditore në krye të Ministrisë së Ekonomisë, nga e cila u shkarkua me shumë bujë. Por kjo disfatë nuk e stepi Merfin, madje e çoi atë drejt ambicies për t’u zgjedhur President i Argjentinës. Pasi themeloi vetë një parti, ai kandidoi për herë të parë për postin më të lartë të shtetit argjentinas në vitin 2003, nga ku ai mori 17% të votave të argjentinasve. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2006, Merfi kandidoi sërish. Ai përgatiti një fushatë më solide, teksa pika e tij ishte lufta kundër korrupsionit. Për këtë arsye Merfi kontraktoi edhe kompaninë “RECREAR”, e cila i përgatiti një spot të gjetur televiziv, ku ai shprehte vendosmërinë e tij për të luftuar korrupsionin. Por ndryshe nga ç’pritej, Merfi në zgjedhje mori vetëm 1% të votave, megjithatë spoti rezultoi i suksesshëm. Ai u vlerësua me çmimin “Luani i argjendtë” në Festivalin e Kanës, ndërkohë që duket se ka shërbyer edhe si model për t’u kopjuar, edhe pse vjedhurazi nga qeveria dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›