Mesazhi i Vizion Plusit për Berishën
Vizion Plusi, duke besuar në vërtetësinë e deklaratave të kryeministrit Berisha dhe në hapat e ndërmarrë prej tij në luftën e deklaruar dhe publike ndaj korrupsionit, iu drejtua zotit Berisha me një mesazh në numrin e publikuar prej tij. Teksti i nisur drejt numrit të celularit 0692099410 mban orën 11:21 të paradites së djeshme dhe ka këtë përmbajtje:
“I nderuar zoti Kryeministër,
Pas spotit të transmetuar publicitar, ku ju vini në dispozicion numrin tuaj të telefonit për denoncimin e rasteve të korrupsionit, kërkojmë shpjegime për të drejtën e autorit ndaj kompanisë ‘RECREAR’, e cila ka prodhuar spotin për kandidatin argjentinas për president, Lopez Merfi. A keni paguar Ju për këtë rast, që sipas arsyetimit që përdorni në mesazhin Tuaj, konsiderohet vjedhje? Për marrjen e këtij spoti, a ia keni vënë në dispozicion KKRT-së kontratën që presupozohet të keni bërë me kompaninë ‘RECREAR’ në Buenos Aires? Si qytetarë, por edhe si përfaqësues të medias, mbetemi në pritje të përgjigjes suaj...
Me respekt Redaksia e Vizion Plusit”.
Por, pas dërgimit të këtij mesazhi nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e kryeministrit Berisha, i cili ka heshtur për skandalin e radhës të shkaktuar prej tij dhe nga qeveria e tij.
4 Shtator 2008