Socialistët kërkojnë hapjen e arkivave të komunizmit
Eljona Ballhysa
Socialistët kërkojnë hapjen e arkivave të regjimit komunist. Deputeti i PS-së, Arben Isaraj, deklaroi dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve se të gjithë personat që janë të interesuar të dinë rreth dosjes së tyre, atëherë këta, nëpërmjet një pagese simbolike, mund të marrin informacion mbi këtë dosje. Po kështu, Isaraj propozon që edhe kandidatëve që dëshirojnë të kandidojnë për deputetë duhet t’u bëhet publike e kaluara e tyre gjatë regjimit komunist. Ky ka qenë qëndrimi i opozitës socialiste gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i cili nisi dje diskutimin mbi ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Të pranishëm në këtë mbledhje kanë qenë përfaqësues të grupeve të interesit, si Adrian Hani nga Qendra e Rehabilitimit të Torturave të Komunizmit, Elsa Ballauri nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Tomorr Aliko nga Shoqata Antikomuniste, si dhe Simon Miraka, kryetar i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë.
Qëndrimi i grupeve
Grupet e interesit u shprehën pro hapjes së dosjeve, por ata vunë theksin në domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të komunizmit. Sipas përfaqësuesve të ish-të përndjekurve, është e rëndësishme që të dënohen më parë “gjeneralët” e komunizmit dhe më pas bashkëpunëtorët. “Përndjekja politike ka shumë probleme të pazgjidhura. Pas 17 vitesh shteti shqiptar nuk është në gjendje të rehabilitojë viktimat e diktaturës. Janë rreth 20 priftërinj të vrarë nga diktatura, që nuk u jepet ende statusi i dëshmorit. Janë rreth 60 priftërinj të tjerë në Shkodër, të cilëve nuk u trashëgohet e drejta e dëmshpërblimit te familjarët. Janë me qindra të internuar që nuk gjejnë dokumentet dhe nuk përfitojnë dëmshpërblim. Janë me dhjetëra të tjerë që kanë bërë burg në kohën e komunizmit dhe tani lypin për të shtyrë muajin. Kjo gjendje nuk duhet të lejohet. Megjithatë unë dua të theksoj se ju duhet të jeni të kujdesshëm në përkthimin e dokumentacionit komunist. Pasi nga eksperienca kam njohur shumë ish-të burgosur politikë, të cilët kanë pranuar se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, por puna e tyre nuk ka dëmtuar të tretë. Të tretë ka dëmtuar puna e anëtarëve të Komitetit Qendror, e atyre që quheshin gjeneralë të komunizmit dhe më pas bashkëpunëtorët”, - është shprehur Hani, kryetar i Qendrës së Rehabilitimit nga Torturave e Komunizmit. Ai u shpreh kundër qëndrimit në poste drejtuese të hetuesve dhe prokurorëve të regjimit komunist dhe përmendi në fjalën e tij rastin e Fatmira Laskajt, e cila aktualisht mban postin e kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Nga ana e saj kryetarja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, e cilësoi qesharak diskutimin e herëpashershëm të kësaj çështjeje. Ajo ka shprehur kritika për faktin se ishte ftuar në komision për të diskutuar për një projektligj që nuk e kishte parë asnjëherë dhe që nuk i është vënë në dispozicion. Ballauri u shpreh se gabimi i politikës shqiptare ka qenë se nuk u mor me dënimin e komunizmit dhe me zbardhjen e krimeve që në vitet e para të demokracisë, por e shtyu në kohë atë. Ajo tha se dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është realizuar ende, pasi nuk janë dënuar ende krimet e komunizmit. Ballauri u shpreh se nuk mund të hapen dosjet për këdo në Shqipëri. Sipas saj, ky është një proces që do të sjellë një dramë në shoqërinë shqiptare. Por kjo u hodh poshtë nga Tomorr Aliko, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste, i cili tha se përderisa nuk është bërë hakmarrje këto 17 vjet, nuk ka për t’u bërë ndonjëherë. Në përfundim të mbledhjes u ra dakord që të dy relatorët e projektit, Bumçi dhe Isaraj, të përfshijnë në draft dhe mendimet e grupeve të interesit.
4 Shtator 2008