E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Tiranë, përplasja reale midis Berishës dhe Topit



Eljona Ballhysa
Zgjedhjet për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në degën e Tiranës pritet të kthehet, më shumë se “një mollë sherri”, në një betejë të vërtetë midis dy krerëve më të lartë të shtetit. Kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi pritet të masin forcat me njëri-tjetrin pikërisht me këtë post me rëndësi në Partinë Demokratike. Burime brenda partisë më të madhe në pushtet bëjnë të ditur se megjithëse në dukje PD-ja ndodhet në heshtje, në të vërtetë brenda kësaj partie ka filluar të gëlojë lufta për më shumë pushtet dhe përfaqësim. Grupimet e ndryshme, mbështetës të njërës apo tjetrës palë, kanë filluar që tashmë të krijojnë sa më shumë hapësira për të fituar këtë post të rëndësishëm. Por duket se më shumë se një betejë midis dy personaliteteve të larta, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por të Partisë Demokratike në veçanti, kjo pritet të jetë dhe një betejë midis dy shtresave shoqërore, siç është ajo e ish-pronarëve dhe përfaqësimi i banorëve që presin të legalizojnë ndërtimet informale.
Grupimet
Aktualisht dega e Partisë Demokratike në Tiranë kryesohet nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ky i fundit e ka pranuar publikisht se nuk do të kandidojë më për këtë post, duke nënkuptuar largimin e tij dhe fillimin e një gare për konkurrentët e tjerë. Sokol Olldashi njihet si një nga mbështetësit e kryeministrit Berisha dhe si një njeri i afërt i tij. Nga ana tjetër, së fundi ka filluar të kristalizohet se një nga kandidaturat më favorite për këtë post është ai i Besnik Mustafajt. Ky njihet për mbështetjen e hapur që i ka dhënë pas largimit nga posti i ministrit të Jashtëm Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Flitet se Mustafaj kërkon të futet në garë për të konkurruar për këtë post dhe nuk pret të bëhet pjesë e skemave që në PD funksionojnë me emërime nga kryetari. Por Mustafaj, nga ana tjetër, shpreson se për të marrë këtë post do të ketë mbështetjen e Topit dhe të gjithë grupit të tij, i cili aktualisht nuk është i përfaqësuar në strukturat e larta drejtuese të partisë. Pra politikisht ndodhet në disavantazh dhe për të fituar sa më shumë terren i duhet të “luftojë” fort.
Shtresat
Por, nga ana tjetër, duket si një betejë dhe midis dy shtresave shoqërore. Bamir Topi njihet si mbështetës fanatik i të drejtave të ish-pronarëve legjitimë. Madje ai ka qenë demokrati i vetëm që në kohën kur mbante postin e kryetarit të grupit të PD-së ka dalë kundër ligjit të pronave të propozuar nga PD-ja. Po kështu dihet se Topi ka mbështetjen e kësaj shtrese, pra të ish-pronarëve, duke qenë dhe se vjen nga një familje e vjetër tiranase, e cila ka trashëguar shumë prona të paluajtshme. Por kryeministri Berisha ka treguar se po ndjek një politikë favorizuese për personat që kanë ndërtuar pa leje. Megjithëse deri tani ligji i legalizimeve nuk ka dhënë frytet e tij, pritet që në fushatën elektorale të nisë një proces i gjerë i pajisjes së qytetarëve me leje legalizimi. Normalisht kjo shtresë pritet të mbështesë kryeministrin Berisha. Por që të dyja këto shtresa kërkojnë përfaqësim në pushtet dhe në strukturat më të larta të vendimmarrjes politike dhe partiake.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›