E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria firmos privatizimin e “ARMO”-s me kompaninë amerikane “Amra Oil sh.a”



Këshilli i Ministrave ka miratuar dje kontratën e privatizimit të kompanisë “ARMO”. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë kryeministri Berisha vlerësoi kontratën, duke e cilësuar këtë procedurën më transparenten të ndjekur në këto 18 vite. Duke e konsideruar si çështjen kryesore të rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha tha se kontrata për privatizimin e ARMO-s u arrit pas përfundimit me sukses të procesit të negociatave dhe blerës të saj janë kompanitë “Amra Oil sh.a” dhe konsorciumi “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group". “Kjo procedurë ka qenë shembull dhe dëshmi e kompetencës, integritetit dhe transparencës së veprimtarisë së qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Ky është pa dyshim privatizimi më i suksesshëm në historinë e vendit dhe këtë e dëshmojnë të gjitha faktet. Në vitin 2004, për këtë kompani, me të gjitha anekset dhe aksesorët e saj, u ofrua gjithsej vlera 10 milionë dollarë. Ndërsa pa anekset dhe aksesorët e tjerë, pa një seri pikash shpërndarjesh dhe magazinimesh, me të cilat është krijuar një ndërmarrje tjetër, kompania u privatizua me vlerën 130 milionë euro”,- është shprehur Berisha. Kryeministri e konsideroi suksesin e arritur në privatizimin e kësaj shoqërie gjithashtu dëshmi të rritjes së besimit të biznesit ndërkombëtar për të investuar në Shqipëri. “Nuk mund të mohohet se në këtë vlerë janë edhe kredencialet e qarta të qeverisë shqiptare. Komuniteti botëror i biznesit beson tek ne, për të vendosur ëndrrën dhe projektin e vet”,- është shprehur kreu i qeverisë. Berisha gjithashtu falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Policinë Kriminale për arrestimin e punonjësve të cilët kishin si qëllim të përfitonin financiarisht duke sabotuar procesin e privatizimit. “Dua të falënderoj gjithashtu Ministrinë e Brendshme dhe Policinë Kriminale, e cila me një ndërhyrje precize dhe kompetente neutralizoi në kohë veprimin e papërgjegjshëm dhe korruptiv të ndonjë punonjësi, që tërësisht mbi interesa personale, bashkëpunonte çdo ditë për sabotimin e suksesit, sepse kishin marrë oferta personale të mëdha. Kjo ndërhyrje ishte jashtëzakonisht e dobishme, pasi e lejoi ministrin të marrë vendimet e duhura dhe natyrisht dosja ka shkuar në prokurori”,- është shprehur Berisha.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›