Berisha-kryekomunarëve: Regjistroni pyjet, mblidhni taksën e pronës
Kryeministri Berisha nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të drejtuesve të pushtetit vendor sot gjatë një aktiviteti të Shoqatës së Komunave.
Kreu i ekzekutivit është ndalur gjatë në nismën për transferimin e pyjeve te pushteti vendor, të cilën ai e ka cilësuar si rrugën më të mirë për ti ruajtur, ripërtërirë dhe shfrytëzuar maksimalisht ato. Por sipas Berishës, pushteti vendor duhet të bëhet më aktiv në këtë drejtim. Ky do të jetë viti i privatizimit masiv të pyjeve. Por ju pyjet nuk merrni mundimin të shkoni ti regjistroni në hipotekë. Ju prisni të vijë qeveria tua regjistrojë. Kjo nuk mund të ndodhë. Projektin e arrorëve dhe drurëve frutorë ne po e spostojmë gradualisht drejt jush, u tha shefi i qeverisë kryekomunarëve.
Një tjetër pikë në të cilën ai kërkoi bashkëpunimin e krerëve të pushtetit vendor ishte edhe mbledhja e taksës së pronës.
Pushtet është ligji, por pa financa asgjë nuk lëviz. Ne kemi katërfishuar fondet në drejtimin tuaj, ne kemi gati decentralizimin fiskal. Por ju duhet të performoni, të mblidhni taksat. Ideologjia e politikës fiskale që rrënon taksat përbën rrezik për vendin. Ju të gjithë me shumë të drejtë dhe ne kërkojmë një barrë maksimalisht të gjerë të taksapaguesve. Ka një taksë që është më e ndershme dhe kjo është taksa e pronës, që ju nuk e mblidhni, tha Berisha.
Në lidhje me këtë, kryeministri solli si shembull rastin e komunës së Pejës në Kosovë. Si mund ta shpjegoj unë këtë, kur në Pejë, 40 për qind e të ardhurave, komuna i siguron nga taksa e pronës. Qeveria nuk dëshiron të proporcionojë gjërat në bazë të performancës fiskale. Kjo është një kohë e vështirë dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se kjo. Nuk ka rrugë tjetër përveç decentralizimit fiskal. Nëse ju doni të ushtroni pushtetin që meritoni në komunën tuaj, ju duhet të keni performacën fiskale, tha ai.
Berisha theksoi si një tjetër çështje me rëndësi atë të mbetjeve, duke i cilësuar ato si pasqyrë e qeverisjes vendore në disa raste. Ne jemi vendi i biodiversitetit më të fuqishëm, plot ujëra dhe diell. Zotërinj kryetarë komunash, në të gjitha komunat tuaja, aty ku dalin plehra, ato janë simbol i qeverisjes vendore. Ndaj duhet të bëni gjithçka për një mjedis të pastër të komunave tuaja. Ne do ju mbështesim, kemi nisur ndërtimin e 12 impianteve të ujërave të zeza, tha ai. / Gazmira Ndoja