E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kthehet në atdhe: Doja të vija një minutë e më parë në Shqipëri



Kryeministri Sali Berisha mbërriti në Shqipëri. Pas një udhëtimi prej 3 ditësh me makinë, ku qëndroi për fundjavë në Vjenë, kreu i Qeverisë preku kufirin shqiptar dje në orët e vona të mbrëmjes. Në Murriqan ai dha një prononcim për mediat vizive, duke dhënë edhe arsyen e marrjes së vendimit për të udhëtuar mijëra kilometra me makinë nga Brukseli. “Ju falënderoj që keni dalë dhe ju falënderoj për interesin e madh me të cilin keni ndjekur udhëtimin tim, kam shumë kënaqësi që ju takoj, t’ju përshëndes. Udhëtimi ishte i gjatë, jo pa lodhje, por motivi i tij ishte shumë më i fuqishëm. Qiejt u bllokuan, rrugët ishin të lira. Unë zgjodha rrugët për të ndarë sa më shpejt që të jetë e mundur gëzimin dhe kënaqësinë e një suksesi historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, e një suksesi në të cilën qytetarët e Shqipërisë, zyrtarët e saj, miqtë e Shqipërisë, kanë kontributin e tyre të madh”, tha Berisha. Kreu i Qeverisë pranoi takimin me ish- Kryeministrin në Vjenë, por nuk dha hollësi mbi këtë takim. Ai u shpreh se sot do të informojë me hollësi për çka ndodhi në Bruksel, por edhe në udhëtimin e tij treditor me makinë. “Po, unë në Vjenë takova shefin historik të së majtës shqiptare, zotin Fatos Nano. Por, do të më lejoni që t’ju informoj nesër gjithçka me hollësi, si për Brukselin dhe takimet e mia në Bruksel, ashtu edhe për udhëtimin tim deri në Murriqan, në të gjitha aspektet e tij”, tha ai. Kryeministri e paraqiti si një tjetër rekord personal këtë udhëtim. “Motivi i këtij udhëtimi ishte shumë i fuqishëm. Për mua e rëndësishme ishte që të ndodhesha një minutë e më parë në Shqipëri, bëra më të pamundurën që ta realizoj këtë në kushte të veçanta”, tha Berisha, duke shtuar se për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit ka marrë sinjale pozitive nga Brukseli. Udhëtimi i Kryeministrit nga Brukseli me makinë ka qenë një aventurë e vërtetë. Ai zgjati 3 ditë, ku delegacioni u shoqërua me eskorta të vendeve evropiane. Në Vjenë Berisha pati një darkë me ish-Kryeministrin Nano. Kreu u Ekzekutivit u detyrua ta bëjë këtë udhëtim të lodhshëm me makinë për shkak të anulimit të fluturimeve, pas hirit vullkanik të ardhur nga Islanda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›