Itali, arrestohet shqiptari i akuzuar për 90 kile heroinë
PADOVA – Një shqiptar i cili është cilësuar si “mbreti shqiptar” i heroinës në Itali u arrestua dje nga policia në një stacion treni në Padova. Sipas policisë italiane, shqiptari E.Petja, i njohur me pseudonimin “Xhimi”, u arrestua pas një ndjekje të gjatë policore me qëllim kapjen e tij. Ai ishte dënuar në mungesë me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike tri vite më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, sipas mediave italiane, shqiptari kishte arritur t’i shpëtonte disa herë arrestimit nga policia. Vendimi i dënimit ndaj 32-vjeçarit shqiptar e fajësonte atë për akuzën e trafikimit të 90 kileve heroinë nga Shqipëria në Itali në vite të ndryshme. Ditën e djeshme policia është vënë në ndjekje të shqiptarit, i cili ishte nisur nga Roma me tren në drejtim të Padovës. Me të mbërritur aty, shqiptari është vënë në prangat e policisë dhe është dërguar në paraburgim. Ai pritet të dalë para gjykatës për ekzekutimin dhe dënimin të dhënë në mungesë. Shqiptari është akuzuar se ka kryer trafik droge mes Shqipërisë dhe Italisë edhe pas dënimit të tij në episode që nuk janë përfshirë në ndëshkimin e parë të dhënë nga gjykata. Kjo çështje duket se po hetohet nga policia italiane e cila ka thënë se gjatë veprimtarisë së tij, shqiptari kishte koordinuar veprimtarinë kriminale të trafikut të heroinës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Për këtë arsye, shqiptari ishte dënuar në mungesë me 17- vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, por për tri vite kishte arritur t’i shpëtonte policisë. Vlera e drogës së trafikuar nga shqiptari, sipas policia italiane arrin deri në 2 milionë euro megjithatë besohet se ai ka pasur bashkëpunëtorë në veprimtarinë e tij.