Pronat, zbulohet urdhri “Antimafia”
Në zbatim të ligjit të ri “Antimafia”, i cili hyri në fuqi më 25 janar 2010, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka nxjerrë një urdhër për vartësit e saj në Tiranë dhe në rrethe, me të cilin zgjeron rrethin e hetimit për pasuritë e vëna me të ardhura të paligjshme. Për herë të parë objekt i punës së Prokurorisë bëhet për shembull, Zyra e Punësimit dhe jo më kot, pasi ligji i ri “Antimafia” përmban termin “sjellje kriminale”. Ky term nënkupton rastet kur persona të papunë, kryejnë shpenzime të mëdha që nuk justifikojnë të ardhurat financiare që ata kanë. Automatikisht këta persona edhe në mungesë të një procedimi penal, të paktën siç është shkruar në ligj, do të bëhen objekt hetimi.
Zgjerohet spektri i hetimeve
Përveç tri institucioneve që kanë qenë edhe më parë pjesë të hetimeve pasurore, Hipoteka, Bankat dhe Drejtoria e Tatimeve, tani, sipas urdhrit të Prokurores së Përgjithshme, pjesë e punës së Prokurorisë është bërë edhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Zyra e Legalizimit të Banesave Informale, ALUIZNI, Enti Kombëtar i Banesave, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas urdhrit të Prokurores së Përgjithshme, oficerët e policisë gjyqësore në rrethe duhet të lajmërojnë menjëherë prokurorinë e rrethit për informacionet që marrin nga institucionet e mësipërme në lidhje me personat “e dyshuar”. Menjëherë pas regjistrimit të procedimit pasuror, sipas urdhrit të Prokurores së Përgjithshme, prokuroritë e rretheve duhet t’i referojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë faktin kriminal.
Krimet e Rënda
Më tej, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të dërgojë në Gjykatë kërkesën për konfiskimin e banesës, llogarisë bankare, makinës, truallit apo biznesit që rezulton se është vënë me të ardhura kriminale. Për herë të parë, ligji i ri “Antimafia” përcakton qartë ndarjen mes procedimit penal dhe procedimit pasuror. Urdhri i Prokurores së Përgjithshme parashikon ngritjen e një strukture më vetë për zbatimin e ligjit “Anfimafia” në Prokurorinë e Përgjithshme dhe tek Krimet e Rënda. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, do të jetë pikërisht kjo zyrë, e cila do të marrë në dorë dosjet e raportuara nga i gjithë vendi. Më pas, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të komandojë prokurorin që do të merret me çështjen përkatëse, i cili do të paraqesë në Gjykatë kërkesat për sekuestrimin e pasurive.
Hetim edhe pas vdekjes
Ndërkohë që ligji shqiptar parashikon mbylljen e dosjes penale për një krim nëse autori i tij vdes, kjo nuk ndodh me hetimin pasuror. Pronat e një të akuzuari si anëtar i grupeve kriminale sekuestrohen edhe pas vdekjes së tij. Një rast i ngjashëm është ai i ish-biznesmenit Klodian Saliu, i akuzuar në dosjen e “bandës së Durrësit”. Bazuar në ligjin e ri “Antimafia’ prokuroria ka bërë kërkesë për sekuestrimin e një liste të gjatë pronash në emër të tij edhe pse Klodian Saliu është vrarë me armë në një atentat në autostradën Tiranë-Durrës që në vitin 2005. Në këtë rast, sipas ligjit të ri “Antimafia”, prona i sekuestrohet personit që ka trashëguar pasuritë e dyshuara nga personi i vdekur, i cili ka qenë objekt i hetimit pasuror. tr.so