E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoferi, nudo pas përplasjes në autostradë



DURRES – Aksidentohet me makinë, zhvishet në mes të autostradës Tiranë-Durrës. Ngjarja e rrallë ka ndodhur rreth orës 19:00 në afërsi të Maminasit, në rrugën nacionale që lidh dy qytetet e mëdha të vendit. Dëshmitarë nga vendngjarja, por edhe burime të policisë, pohuan mbrëmë se një burrë është gjetur pa rroba, ndërsa lëvizte pranë makinës së tij “Benz” luksoz. Duket nga shpejtësia dhe nga lagështira, pas shiut të rënë në orët e pasdites, drejtuesi që udhëtonte drejt Durrësit ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me trafikndarësen. Vetë drejtuesi nuk ka pësuar plagë të rënda e fatmirësisht nuk ka pasur mjete të tjera të përfshira në aksident. Në kushtet e tronditjes për dëmet mendohet se shoferi i “Benz”-it të aksidentuar ka hequr rrobat, duke u parë në këtë gjendje nga udhëtarët e tjerë. Ata kanë lajmëruar policinë, patrullat e së cilës që ndodheshin përgjatë rrugës kanë mbërritur menjëherë. Pasi kanë detyruar burrin të vishej, atë e kanë shoqëruar për në ambientet e policisë për të sqaruar rrethanat e më pas e kanë lënë të lirë. Kjo ngjarje është regjistruar nga policia, e cila me bashkëpunimin e prokurorisë do të përcaktojnë nëse do të procedojnë shoferin për aktin e zhveshjes publike apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›