E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari fiton gjyqin me Greqinë



STRASBURG

Gjykata e Strasburgut i jep të drejtë një shqiptari të dënuar në Greqi, duke konsideruar se atij i ishin shkelur të drejtat për shkak të vonimit të gjyqit në Gjykatën e Apelit. Por për shkak të mosinteresimit të mëtejshëm nga avokati i caktuar nga shqiptari gjykata është detyruar ta pushonte gjykimin duke mos shpallur një vendim përfundimtar për ankesën e shqiptarit 44-vjeçar. Kështu sipas Gjykatës së Strasburgut kërkuesi, Dh.Treska, shtetas shqiptar, i lindur në 1966, aktualisht ndodhet i burgosur në zonën e Patras. Në procesin që është zhvilluar vitin e kaluar në Strasburg, Qeveria greke në cilësinë e të paditurit është përfaqësuar nga dy agjentë të saj në këtë gjykatë, ndërsa Qeveria shqiptare nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të ndërhyrë në gjyq sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas Gjykatës Evropiane Treska është ndaluar më 28 janar 2005 nga policia greke për posedim të lëndëve narkotike. Më 5 qershor 2006, Gjykata Penale e Selanikut në Greqi e dënoi atë me 17- vjet burg dhe gjobë 17 mijë euro. Pas kësaj i burgosuri shqiptar paraqiti ankesë në Apelin Penal në Selanik, por që për shumë kohë me radhë nuk iu caktua një datë për zhvillimin e procesit. Pikërisht, nisur nga kjo ai iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, ku u ankua në bazë të nenit 6/1 të Konventës në lidhje me kohëzgjatjen e procedurës. Por gjatë kësaj kohe Strasburgu për të plotësuar informacionin mbi këtë çështje i ka kërkuar avokatit mbrojtës të shqiptarit që të dërgonte informacione shtesë në këtë gjykatë dhe t’i përgjigjej edhe disa pyetjeve të gjykatës, por që nuk është konfirmuar nëse ai ka marrë apo jo dijeni për këtë. E ndodhur në këtë situatë, Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar si heqje dorë apo mosinteres të ankuesit për çështjen dhe në bazë të Konventës ka vendosur të mos shprehet për ankesën në themel. Ndërsa ka konsideruar si shkelje faktin që shqiptarit i është zvarritur procesi gjyqësor në Shkallën e Dytë. Dhënia e formës së prerë të vendimit gjyqësor në ngarkim të shqiptarit do i krijonte atij lehtësira për të përfituar nga zbatimi i ligjeve për llogaritjen e dënimit. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›