“Drejtoresha e kopshtit bëri tim bir të sëmurë për fitim”
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Prindi i një fëmije 6-vjeçar që gëzon shëndet të plotë denoncon në prokurori drejtoreshën e kopshtit për përfitime personale në dëm të djalit të tij. Shkak është bërë përfshirja e të miturit në një listë që identifikohen fëmijët me aftësi të kufizuar mendore. Kjo ka irrituar tej mase prindin e fëmijës, Virion Graci, pedagog dhe publicist i njohur në Gjirokastër. Ai ka akuzuar direkt Tefta Zhullën, duke e quajtur përgjegjëse të dëmtimit të personalitetit të fëmijës. Për gazetën “Panorama” Graci pohon se drejtoresha e kopshtit publik “Cicërimat”, në fshehtësi të plotë dhe pa dijeninë e prindërve, ka përfshirë djalin e tij në programe me përfitime ekonomike për fëmijët me të meta mendore, duke pasur si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet abuziv ish- kreun e Drejtorisë Arsimore Vasil Muka dhe psikologen Anila Cacaj. Sipas Gracit, djali i tij është regjistruar në mënyrë abuzive në projekte përfitimi për fëmijët me të meta mendore, pranë shoqatës “Save the Children”, me seli në qytetin e Gjirokastrës. “Ajo çka mua më ka irrituar jashtë mase është se për të gjitha këto, unë nuk jam vënë fare në dijeni dhe më është fshehur çdo informacion. E tërë kjo paçavure është gatuar nga tre emrat e sipërpërmendur”, pohoi dje Graci. Ai thotë se nga kontaktet me edukatoret e këtij kopshti ka mësuar se i biri i tij si dhe fëmijë të tjerë, dy vjet më parë, nën një fshehtësi të plotë ndaj prindërve, janë marrë me makinë private disa orë nga drejtoresha e kopshtit dhe janë çuar në një vend të paditur. “Kjo drejtoreshë, dy vjet më parë, ka urdhëruar edukatoret që për djalin tim të çelnin një fletore pune të diferencuar me etiketimin si fëmijë me probleme mendore, çka është refuzuar kategorikisht nga ato pasi nuk i përgjigjej realitetit”, pohon Graci. “Ajo çfarë më bën të dyshoj është se vetë drejtoresha nuk ma ka vënë në dispozicion këtë fletore me shënime, duke refuzuar të më japë çdo lloj dosjeje apo informacioni që ka të bëjë me ecurinë e djalit tim”, pohon Graci për gazetën “Panorama”. “Kontradikta qëndron se në prezencën e kreut të arsimit gjirokastrit Arjan Pano, drejtoresha para tre ditëve, ka thënë se djali im është normal pa asnjë lloj problemi, çka është e vërtetë pasi gëzon shëndet të plotë mendor psikik dhe emocional, ndërkohë që emri i tij figuronte prej dy vitesh në listën e fëmijëve me aftësi të vonshme mendore. Me bindje të plotë e pohoj se kjo është bërë ose për përfitime ekonomike ose për biografi personale, çka shërben për pasurimin e CV-së për të dëshmuar se kanë punuar edhe me fëmijë me probleme mendore”, shprehet Graci. Nisur nga këto rrethana, Virion Graci, vendosi që të heqë nga kopshti “Cicërimat” djalin e tij, duke regjistruar dhe kallëzim në prokurori.