E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, konfliktohen për një vijë uji, plagoset 42 vjeçari

Një vijë uji ka shkaktuar një të plagosur në rrethin e Kolonjës, ndërsa përgjakja për fat nuk ka degjeneruar në një tragjedi të mundshme. Ngjarja është regjistruar në orën 9:30 të së enjtes, në fshatin Mollas të rrethit të Kolonjës. Protagonistë të ngjarjes së rëndë janë bërë dy bashkëfshatarë për më tepër dhe fqinjë me njëri-tjetrin. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se Thoma Skupra, 68 vjeç, është konfliktuar me shtetasin Fatmir Avdyli, të cilin e ka plagosur rëndë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, sherri ka nisur për një vijë uji, të cilën i plagosuri kërkonte ta hapte për të kaluar ujërat e shiut që binin gjithashtu edhe përpara shtëpisë së autorit të ngjarjes, 68- vjeçarit Skupra.I plagosuri, Fatmir Avdyli, 42 vjeç, edhe ky banor i fshatit Mollas është përpjekur të shpjegojë fqinjin, por pa mundur ta bindë atë. Agresori fillimisht ka marrë një sëpatë për të kërcënuar fqinjin, ndërsa më pas ka vënë në përdorim një armë gjahu me të cilën ka qëlluar në drejtim të Avdylit. Si rezultat i shkrehjes së armës ka mbetur i plagosur në kraharor 42- vjeçari, ndërsa kanë shpëtuar falë rastësisë pa u përgjakur dhe dy fëmijët e tij të vegjël që ndodheshin me të. Policia, e cila është njoftuar nga disa banorë të fshatit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa ka bërë të mundur kapjen e autorit të saj. Thoma Skupra është gjetur gjatë tentativës për t'u larguar nga fshati madje dhe me çifte në dorë. Menjëherë ai është arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje e mbetur në tentativë. Policia ka nisur hetimet, ndërsa okularë të shumtë kanë rrëfyer ngjarjen që për pak sa nuk shkaktoi një të vdekur. Vija e ujit është kthyer në burimin e këtij konflikti të përgjakur nga i cili ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë një shtetas. Avdyli ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Ersekës, ndërsa është nisur më tej për ndihmë më të specializuar mjekësore në drejtim të spitalit rajonal të Korçës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›