Çekët mbështesin Shqipërinë për në BE
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u takua dje me zv.ministrin e parë të Jashtëm çek, Tomas Pojar, me të cilin diskutoi rreth hapave të mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe reformave që dikton ky proces. Zv/ministri çek theksoi faktin se Çekia që mban tashmë presidencën e radhës së BE-së, jo vetëm e mirëpret aplikimin e shpejtë të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, por ofron gjithë mbështetjen e saj për implementimin e detyrimeve që rrjedhin në këtë etapë të re të procesit. Sipas numrit dy të diplomacisë çeke, aplikimi i Shqipërisë nuk varet dhe nuk ka lidhje me aplikimet e vendeve të tjera të rajonit, por vetëm me krijimin e kushteve të favorshme për shqyrtimin e kërkesës për aplikim në një kohë sa me të shpejtë nga Këshilli. Ministrja Bregu falënderoi zv/ministrin Pojar për mbështetjen e presidencës çeke në procesin integrues të Shqipërisë dhe për rolin e tyre mbështetës në takimet e këshillit dhe veçanërisht, inkurajimin që vendi ynë të aplikojë gjatë presidencës çeke.