PS: Teatër me rritjen ekonomike
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me debatin e djeshëm mes Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, Bode, për shifrat e rritjes ekonomike. Në një konferencë për gazetarët, zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli deklaroi se këto janë veprime të një qeverie që tallet me qytetarët. "Lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë që rritet përditë, vrau një grua te pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pa sigurt shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike", kështu është shprehur Kodheli përpara mediave. Ndër të tjera, Partia Socialiste e ka konsideruar debatin e djeshëm si një skeç banal të Berishës dhe Bodes për pseudo rritjen ekonomike. Partia Socialiste ka kërkuar që qeveria të rimbursojë të paktën shpenzimet e varrimit të gruas që humbi jetën në Poliçan.