E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ky mjeshër i spektaklit politik

Është e njohur tashmë teza se, shekulli XX ndryshoi në një mënyrë pothuaj të paparashikuar, rolin e elitës politike, duke e reduktuar rolin e saj politik te lideri, pra te "njëshi" politik. Tashmë dihet se hapësira publike e politikës, është shndërruar në një treg konsumi mediatik. Nuk ka më "agora" ku debati dhe kundër-debati, me ide dhe argumente, zinte vend në mendjen e njerëzve, duke i bërë edhe ata pjesë të politikës dhe ndryshimit të saj. Këtë rol sot e ka marrë ekrani. Nuk ka rëndësi nëse është i televizorit apo i kompjuterit. Në këtë mënyrë, politika është shndërruar në një lojë spektaklesh, ku konkurrojnë skenarët dhe sigurisht jo idetë. Roli i opinionit publik, për pasojë, shndërrohet në rolin e spektatorit, i cili mund ta shijojë ose jo spektaklin, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka se si formatohet në mendjen e tij, ajo që ai percepton. Prandaj, në shekullin që jetojmë, një biznes i ri po rezulton, të paktën për momentin, mjaft i suksesshëm: kompanitë media-politike ose sikundër njihen ndryshe, kompanitë menaxhuese politike elektorale. Konkurrenca mes këtyre kompanive, në organizimin e suksesshëm të skenarëve të spektaklit politik, që finalizohet me fitoren elektorale, po vjen gjithnjë në rritje. Është kjo një arsye mjaft domethënëse pse fushatat elektorale vijnë e bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.

Por pavarësisht gjithë kësaj tabloje, që po sjell ndryshim të dukshëm në formatin e konceptit demokraci, duket se dy elementët: lideri politik dhe spektatori (opinioni), do të vazhdojnë të kërkojnë domosdoshmërisht të gjejnë një mënyrë harmonizimi mes tyre.

Elementi i parë ka të bëjë me tiparet karizmatike të liderit, aftësitë e tij për të ngjallur besim nga ekrani dhe në veçanti mesazhi që përçon e gjuha politike që përdor. Berisha është një mjeshtër i këtij konsumi mediatik. Karizma e tij politike në 19 vjet politikë, nuk ka pësuar pothuaj asnjë ndryshim. Thelbi i mediatizimit të tij qëndron në qenien prezent në ekran çdo ditë dhe në improvizime mitingjesh publike me paravijë elektorale. Në të dyja rastet, Berisha vazhdon me sukses të realizojë qëllimin e tij politik. Nuk ka ditë që të mos jetë i pranishëm në media me një "ide", të tipit "Shqipëria një euro", "Shqipëria në moshën e internetit", "Shqipëria-one stop shop", "Shqipëria në aksionin e 20 milionë rrënjëve të ullirit", "Shqipëria në aksion për bletët me mjaltin më të mirë në botë" etj, e kushedi sa "çudira" të tilla, që nëse do t‘i kishte thënë dikush tjetër, me siguri do ta kishin marrë për të çmendur.

Por ja që Berishës i "shkojnë" këto lloje thëniesh virtualisht ekzistuese. Për të, nuk ka rëndësi ç‘thuhet, por mjafton të thuhet dhe në mënyrë të veçantë. Madje, kjo e fundit shpesh del në plan të parë. Në shumë prej fjalimeve të tij publike nuk ka lidhje logjike mes fjalës dhe mendimit, por ka një mënyrë të veçantë të thëni, që mbështetet në thashethemin, skandalin dhe agresivitetin. Berisha i zotëron më së miri të tri këto elemente. Në komunikimin e tij synon të arrijë entuziazmin e njerëzve që e dëgjojnë dhe, mundësisht, për ta bërë më të bukur spektaklin, të arrijë ekstazën e tyre në nxitjen e thirrjeve brohoritëse. Për ta arritur këtë, i duhet, së pari të artikulojë një problem që "u dhemb" më shumë njerëzve.

Në periudhën e tij të parë të marrjes së pushtetit, në të gjithë daljet e tij në mitingje, Berisha i është referuar vetëm një objekti: luftës kundër komunizmit ose e thënë më ndryshe, kundër komunistëve, te të cilët shikonte rrezikun real të marrjes së pushtetit. Këto thirrje nxisnin britmat e turmave që sapo dilnin në liri dhe ishin të gatshëm të hakmerreshin, deri edhe fizikisht, ndaj komunistëve, duke lënë natyrisht jashtë vëmendjes faktin që vetë Berisha ishte njeri prej tyre. Pas vitit të mbrapshtë 1997, i projektuar falë dhe deklaratave të tij drithëruese, Berisha për dhjetë vjet, ka vetëm një objekt: luftën kundër korrupsionit! Por ai e di që ky objekt do të ishte i paçmuar gjatë fazës së marrjes së pushtetit. Më tej? Berisha e kupton se tani është ai vetë që duhet të japë llogari për korrupsionin e viteve të tij të qeverisjes, por ai sërish artikulon objektin: korrupsionin.

Vetëm se këtë radhë e bën me një sforcim fizik të dukshëm: thirrjet e tij kundër korrupsionit gati-gati janë histerike, zëri i tij shkon drejt ulërimës, e gjithë pamja e tij të krijon një ndjenjë acaruese, provokuese. Kështu, ata që ka përpara detyrimisht do të shpërthejnë në kundër-ulërimë. Prandaj Berisha kujdeset që pikërisht spektatorët, që ndjekin ‘live‘ spektaklin të jenë të gatshëm të kalojnë në histeri, së bashku me shefin. Spektatori, që merr këtë biletë shfaqjeje, duhet të plotësojë disa kushte: Të jetë militant ekstrem ose i punësuar në administratë, pikërisht për këtë arsye; ose i legalizuar padrejtësisht; ose i paguar për të thërritur; ose… me gjendje jo të mirë psikike. Në këtë mënyrë rregullohet dhe marrëdhënia me faktorin e dytë që përmendëm më sipër, spektatorin. E vetmja gjë që anashkalohet këtu është impakti te spektatori i shtëpisë, atë që ndjek përmes ekranit këtë spetakël. Berisha shkon me mendimin se energjia e përdorur gjatë fjalimit të tij, britmat dhe gishti i tundur fort, nëse nuk sjellin 100% po atë eksitim, së paku do të sjellin frikë. Frikë jo aq nga Berisha, se sa nga turmat që e brohorasin atë, duke krijuar iluzionin kolektiv mediatik se Berisha është lider i vërtetë dhe se askush nuk i del dot përpara... Populli e do dhe e brohoret, pra e voton. Ja pra, a nuk është ai një mjeshtër i spektaklit politik?

Nëse e quani të gabuar këtë përcaktim, detyrohem t‘ju sjell në vëmendje mënyrën me të cilën u largua nga pushteti në vitin ‘97, dhe më tej, mënyrën si erdhi në pushtet 8 vjet më pas. Lexuesi le të nxjerrë vetë konkluzionin. Sepse realisht rrethi i diskutimit mbyllet këtu dhe, bashkë më të, edhe demokracia. Mediat e "lira" shndërrohen për njëmijë arsye në media-lider, që së bashku me liderin, bombardojnë çdo minutë mendjen e hapur të qytetarit. Dhe dihet se, kur mendja rri e hapur, por pa kontroll, atëherë gjithkush mund të hedhë çfarëdo në të. I takon çdo qytetari ta marrë seriozisht diskutimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›