E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, në kërkim të një Presidenti shqiptar

Lidhja Social-Demokrate, partia më e madhe e opozitës në Maqedoni, pritet të caktojë kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale. Në Konventën e partisë, VMRO-DPMNE zgjodhi profesorin universitar, Gjorgji Ivanov si kandidat për postin e Presidentit të ardhshëm. Fillimisht, partia opozitare maqedonase, LSDM, propozoi që Maqedonia kësaj radhe të dalë me kandidat pa ngjyrime partiake dhe ofroi Sergjan Kerimin për këtë post, por kjo ide nuk u mbështet nga partitë në pushtet. Burime të brendshme të Lidhjes Social-Demokrate kanë lënë të kuptohet se si kandidat i mundshëm i kësaj partie mund të jetë ish-shefi i diplomacisë dhe i Ministrisë së Rendit, Lubomir Ferçkovski, por kjo pritet të mësohet në ditët e ardhshme. Ndërkaq, ende ka paqartësi në mesin e dy partive më të mëdha politike shqiptare, BDI dhe PDSH. Nuk përjashtohet mundësia që Ali Ahmeti ta ftojë elektoratin e vet t‘i drejtojë votat nga kandidati i partnerit të koalicionit, Gjorgji Ivanov. Në të kaluarën, partitë shqiptare çdo herë kanë dalë me kandidat të tyre dhe pasi kandidatët e tyre nuk kalonin në raundin e dytë, atëherë përkrahnin një prej kandidatëve të mbetur maqedonas. Partia Demokratike Shqiptare ka pohuar se brenda kësaj jave do të marrë një qëndrim të prerë. Përveç kryetarit të Demokracisë së Re, Imer Selmanit, në garë për President do të hyjë edhe Nevzat Halili, i cili njihet si kryetar i partisë së parë shqiptare në Maqedoni, Partisë së Prosperitetit Demokratik. Imer Selmani, Nevzat Halili dhe gjithë ata kandidatë që nuk do të mund të sigurojnë mbështetjen e 30 deputetëve duhet të mbledhin 10 mijë nënshkrime të qytetarëve me të drejtë vote për të siguruar hyrjen në garën zgjedhore. Maqedonia, një ditë mund të ketë President apo Kryeministër shqiptar. Kështu mund të ndodhë nëse dalin reale parashikimet e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka takuar dje Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, askund në Kushtetutë nuk shkruan origjinën, të cilën duhet ta ketë një President i Maqedonisë. "Maqedonia si shtet multietnik ofron shanse edhe për komunitetin shqiptar. Tani ne jemi duke analizuar, studiuar rrethanat. Jo vetëm President, por pse të mos jetë një Kryeministër shqiptar", tha Ahmeti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›