Berisha, lamtumirë Hamburgut

- Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Besart Berisha, nuk do të jetë më pjesë e skuadrës gjermane të Bundesligës, Hamburgut, për sezonin e ardhshëm. Mediat gjermane e konsiderojnë si një sezon zhgënjyes jo vetëm të shqiptarit, por dhe të mesfushorit Rafael Viki. Asnjë nga të dy nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Hub Stevens, edhe pse prishtinasi Berisha nënshkroi në fillim të sezonit një kontratë që e lidh zyrtarisht me Hamburgun deri në vitin 2009 (Viki deri në vitin 2008).
Klubi i Hamburgut ka bërë gati lejën e kalimit për lojtarët në fjalë, për t'i dhënë mundësi të kalojnë në një ekip tjetër. Berisha, 21 vjec, i cili është thirrur edhe në formacionin shqiptar për ndeshjen miqësore Anglia B-Shqipëri (25 maj), prej disa javësh kishte kaluar në formacionin e dytë të Hamburgut (amatorët). Me Hamburgun, (profesionistët) sulmuesi shqiptar (1.84m, 77 kg) u aktivizua në 12 ndeshje (9 si titullar). Kosovari shënoi një gol në kampionat në ndeshjen Alemania Aahen-Hamburg (3-3), gol që celi dhe takimin. Në Ligën e Kampioneve, ish-lojtari i Borusias së Berlinit u aktivizua në dy ndeshje grupi (G) kundër Portos (1-3) dhe CSKA së Moskës (3-2), ku ndaj rusëve shënoi edhe golin e barazimit 1-1.

Gjithsesi, Berisha nuk do të jetë lojtari i vetëm që do të largohet. Në listën e ndarjeve me klubin janë dhe emra të tjerë si sulmuesi Boukabar Sanogo, mesfushorët Nigel De Jong dhe Huan Pablo Sorin. Emrat e pritshëm që mund të veshin fanellën e Hamburgut janë sulmuesi Mohamed Zidan (Mainc 05), mesfushori Albert Strajt (Ajntraht Frankfuryt) dhe plejmejkëri brazilian Karlos Alberto (Fluminense)