Berisha lavdëron djalin për ARMO-n dhe INSIG-un
Antena brenda familjes
Me një humor të mirë, madje euforik, i ra ziles së tavolinës dhe urdhëroi sekretaren t’i thërriste Flamurin.
Flamuri mbërriti me një frymë, i skuqur në fytyrë dhe i kërkoi sekretares një çamçakëz për të ndrequr pak erën e gojës, se sapo kish ngrënë me ngut një paçe këmbësh me shumë uthull dhe shumë hudhër.
- Hajde Flamur, se kjo javë ka qenë mirë shumë, suksese gjithandej.
- Urdhëro? - e pyeti Flamuri, që s’e mori vesh këtë ‘mirë shumën’, me të cilën tallej gjithë ditën nëpër kafene dhe e përdorte sa herë që punët shkonin keq e më keq.
- Mirë shumë, mirë shumë. Ja, ta them unë ty, se ata s’më thonë dot mue…
Flamurit iu duk pak si përçartje e si e folur në jerm, po s’e dha veten.
- Hë, ç’kemi nga baza, ç’thonë njerëzit për mua?
- Mirë shumë, s’të heqin nga goja, - ia ktheu dhe Flamuri dhe e pikasi në çast se ai kërkonte informacion.
- ǒbën ai i “TemA”-s? E ke parë? Me se shkon në punë tani, me autobus?
- S’e di, po me autobus besoj, se nuk ka pasur makinë tjetër për sa kohë e njihja unë.
- Mirë t’i bëhet. Po gazetën ku e nxjerrin tani?
- S’e di, në një trotuar thonë.
- Mirë shumë, mirë shumë.
- ǒthotë populli për atë ftesën e ambasadorit amerikan që humbi rrugës?
- Po janë pak të çuditur…
- Mirë shumë, mirë shumë. Ja, ta them unë ty. Se ti s’më thue dot mue. Ore po ai ambasadori me ç’makinë lëviz në Tiranë që t’u them atyre djemve ta kenë në vëmendje?
- S’e di, po ata i kanë të blinduara, s’i bën gjë zjarri.
- Ashtu ë? Mirë shumë.
Ai Shtylla e hëngri, s’na mundoi fare, iku vetë. Mirë shumë. Mbase ikën dhe kjo prokurorja, të vëmë një jurist nga anët tona atje, se s’e ka të gjatë dhe ajo.
Flamur, bëj një listë me njerëzit që duhet të japin dorëheqjen, që na prishin punë, se ua gjen Enkelejdi nga një kleçkë.
- Si urdhëron, për një orë e ke gati në tavolinë.
- Mirë shumë Flamur. Shqipëria po ndryshon. Po hyn në NATO dhe në BE. Kemi privatizue ARMO-n, ia kemi dhënë njerëzve të sigurt. Në fillim Shkëlzeni hyri me dhjetë për qind. E rregulloi Damiri përfaqësinë e një firme në Qipro dhe u fut me 10 për qind. Se kishim frikë mos reagonin. Pastaj e bëri nga 10 në 25 për qind. Ia vlente. Dhe unë në shenjë urimi u bëra atë nderin për naftën D2 që ta kenë monopol, mos t’i ngatërroj të tjerët. Dhe tek INSIG-u njësoj. E ka gjetë Shkëlzeni këtë drejtorin, se kanë qenë bashkë refugjatë në Bruksel. I zoti shumë. Brenda natës e bëri privatizimin. E kanë fitu ca bullgarë që kanë dhe firmë në SHBA, dhe janë shumë të zotë. E kanë ble 25 milionë euro dhe u del mirë, se kur e kanë ble, INSIG ka pasë 50 milionë euro gjendje. D.m.th., me 25 milionë euro kanë ble 50 milionë euro gjendje. Ja ka vlejtë. Ishte i gëzum shumë Shkëlzeni. Dhe më tha: “Babi, po vazhdum kështu, Shqipëria do t’ua kalojë dhe vendeve të NATO-s.” Kishte të drejtë shumë. Kam pa kryeministra të vendeve të NATO-s që mezi e shtyjnë me rrogë. Ne kemi ecë shumë përpara. Jo, s’na arrijnë dot.
Entuziazmi i tij nuk kishte të ndalur.
Flamuri mori rrugën e kthimit. I ktheu sekretares çamçakëzin që s’kishte mundur dot ta përtypte, ndërsa ajo pyeti e çuditur prej humorit të kryeministrit se “ç’kishte ndodhur që qeshnin aq shumë brenda.”
- Nuk e di, - tha Flamuri, - ishte shumë i gëzuar nga këto privatizimet e fundit. Sidomos nga ARMO dhe INSIG-u. Më tha që djali i tij ka merita të mëdha në këto arritje historike.
- Ua, sa mirë, - tha sekretarja. - Ah sikur të ishin gjallë ca nga shokët e tij që i kanë vrarë, sa do gëzoheshin!