“Shpresoj që vdekja ime të shikohet jo si mposhtje, por frymëzim”
Asnjë profesion tjetër nuk i kërkon praktikuesit të tij të japë jetën për artin e vet, me përjashtim të forcave të armatosura – dhe, në Sri Lanka, gazetaria. Gjatë viteve të fundit, sulmet kundër medies së pavarur kanë ardhur në rritje. Institucione elektronike apo shtypi janë djegur, bombarduar, dyllosur ose nënshtruar. Gazetarë të panumërt janë dhunuar, kërcënuar ose vrarë. Kam pasur nderin t’u përkas të tria këtyre kategorive dhe, veçanërisht tani, kësaj të fundit.
Unë jam marrë me gazetari për një kohë të gjatë. Vërtet, 2009 do të jetë viti i 15 i botimit të “Sunday Leader”. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Sri Lanka gjatë kësaj kohe dhe ju nuk keni nevojë që t’ua them unë se pjesa më e madhe e këtij ndryshimi ka qenë për keq. Ne gjendemi në një luftë civile që praktikohet pamëshirshëm nga protagonistë, etja për gjak e të cilëve nuk njeh kufij. Terrori, i ushtruar nga terroristë apo shteti, është kthyer në normë e ditës. Vrasja është kthyer në instrumentin kryesor, me të cilin shteti kërkon të kontrollojë organet e lirisë. Sot e kanë radhën gazetarët, nesër gjykatësit. Për të dy grupet rreziku nuk ka qenë kaq i madh kurrë më parë, ndërsa humbja kurrë më e pakët se kaq.
Atëherë përse e bëjmë këtë? E pyes veten shpesh për këtë. Tek e fundit, edhe unë jam bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve të mrekullueshëm. Edhe unë kam përgjegjësi dhe detyrime që e tejkalojnë profesionin tim, qoftë ligjin, qoftë gazetarinë. A ia vlen të rrezikosh? Shumë vetë më thonë nuk ia vlen. Miqtë më thonë t’i rikthehem punës së gjykatësit dhe, për Zotin, ajo ofron një jetë më të sigurt dhe më të mirë.
Të tjerët, përfshi politikanë në të dy krahët, janë përpjekur të më nxitin t’i futem politikës, kanë shkuar deri aty sa më kanë ofruar të zgjedh portofolin ministror. Diplomatët, duke e ditur rrezikun, me të cilin përballen gazetarët në Sri Lanka, më kanë ofruar arratisje të sigurt dhe të drejtën e qëndrimit në vendet e tyre.
Mund të ketë mijëra arsye pse jam këtu, por jo pse nuk kam pasur mundësi zgjedhjeje.
Mirëpo ka një zë është më sipër posteve të larta, famës, pasurisë dhe sigurisë. Ky është zëri i ndërgjegjes.
“Sunday Leader” ka qenë një gazetë kundërshtuese, sepse ne i themi gjërat siç i shikojmë: edhe shpatën, edhe hajdutin apo vrasësin, ne i thërrasim me emrin e tyre. Ne nuk fshihemi pas eufemizmave. Artikujt investigativë që ne botojmë janë të mbështetur mbi dokumente falë shpirtit publik të qytetarëve që duke rrezikuar veten na përcjellin këto materiale. Ne kemi ekspozuar skandal pas skandali dhe asnjëherë gjatë 15 viteve nuk ka ia ka dalë të na përgënjeshtrojë apo të na ketë fituar gjyqin.
Media e lirë shërben si një pasqyrë në të cilën publiku shikon veten pa makijazh dhe xhelatinë. Prej nesh ju njihni gjendjen e vendit tonë dhe sidomos mënyrën e drejtimit të njerëzve që ju keni zgjedhur për t’iu ofruar fëmijëve tuaj një të ardhme më të mirë. Por, ndërsa ju ankoheni privatisht në shtëpitë tuaja, gazetarët që mbajnë pasqyrën e bëjnë këtë publikisht duke rrezikuar veten. Kjo është thirrja jonë dhe ne nuk i shmangemi.
“Sunday Leader” nuk ka kërkuar sigurinë duke artikuluar pikëpamjet e shumicës në mënyrë të pakundërshtueshme. Le të jemi të sinqertë, kjo është mënyra për të shitur gazetat. Përkundrazi, siç e tregojnë artikujt tanë gjatë viteve, ne zakonisht artikulojmë zëra që për shumë njerëz janë të papëlqyeshëm. Për shembull, në qoftë se ne kemi mbrojtur vazhdimisht pikëpamjen se, ndërsa terrorizmi separatist duhet të zhduket, është më e rëndësishme të zbulohen rrënjët shkakore të terrorizmit dhe i kemi bërë thirrje qeverisë së Sri Lankës ta shikojë luftën etnike në kontekstin e historisë dhe jo nëpërmjet teleskopit të terrorizmit. Ne gjithashtu kemi ngritur zërin kundër terrorizmit shtetëror në të ashtuquajturën luftë kundër terrorit dhe nuk e kemi mbajtur sekret që Sri Lanka është i vetmi vend në botë që bombardon qytetarët e saj. Për këtë qëndrim ne jemi etiketuar tradhtarë; nëse kjo është tradhti, ne jemi krenarë për atë etiketim.
Shumë njerëz dyshojnë se “Sunday Leader” ka një axhendë politike: nuk ka. Nëse ne shfaqemi më kritikë se opozita ndaj qeverisë, kjo ndodh sepse ne besojmë – ndjesë për zhargonin sportiv – nuk ka kuptim të shënosh kundër palës në fushë. Mos harroni se gjatë katër viteve të ekzistencës sonë, kur në pushtet ishte partia “Kombi i Bashkuar”, rezultoi që ne ishim gjembi më i madh në trupin e saj, duke ekspozuar abuzimet dhe korrupsionin kudo që shfaqeshin.
Dhe vërtet, lumi i zbulimeve të turpshme që ne botuam mund të ketë shërbyer si nisje e rënies së qeverisë.
Edhe urrejtja jonë për luftën nuk duhet të interpretohet si përkrahje e jona për Tigrat tamil. LTTE është ndër organizatat më të pashpirta dhe gjakpirëse e shfaqur në planetin tonë. Nuk kërkojmë të përfitojmë, kur themi se duhet zhdukur. Por ta bësh këtë duke shkelur të drejtat e qytetarëve tamil, duke i bombarduar e qëlluar pa mëshirë, nuk është vetëm gabim, por turpëron sinhalizët, pretendimi i të cilëve se gjoja janë gardianë të dhamas po vihet në dyshim të përjetshëm për shkak të kësaj egërsie – shumica e së cilës nuk njihet nga publiku për shkak të censurës.
Për më tepër, pushtimi ushtarak i veriut dhe lindjes së vendit do të kërkonte që popullsia tamile e këtyre rajoneve të jetonte përjetësisht si qytetare e klasës së dytë, e privuar nga gjithë vetë-respekti. Mos mendoni se mund t’i qetësoni duke u ofruar “zhvillim” dhe “rindërtim” në periudhën e pasluftës. Plagët e luftës do t’u lënë atyre vraga të përjetshme dhe ju do të keni një diasporë edhe të mbushur me urrejtje dhe më të hidhur për të bashkëpunuar. Një problem i destinuar për zgjidhje politike do të kthehet në një plagë të hapur që do të jetë burim betejash të përjetshme. Nëse unë dukem i zemëruar dhe i frustruar, kjo ndodh sepse shumica e bashkatdhetarëve të mi – dhe gjithë qeveria – nuk e shohin këtë shkrim të qartë në mur.
Dihet mirë që unë jam sulmuar në dy raste brutalisht, ndërsa një herë tjetër shtëpia ime u mbulua me breshëri automatiku. Pavarësisht garancive të qeverisë, nuk pati kurrë një hetim serioz për përgatitësit e këtyre sulmeve dhe dhunuesit nuk u zbuluan kurrë.
Në të gjitha rastet, unë kam arsye të besoj se këto sulme ishin frymëzuar nga qeveria. Kur, në fund, të vritem unë, do të jem vrarë nga qeveria.
Ironia në këtë mes është, e panjohur për pjesën më të madhe të publikut, se presidenti Mahinda Rajapaksa dhe unë jemi shokë prej më shumë se një çerek shekulli. Besoj se unë jam nga të paktët persona që kanë mbetur ta thërrasin atë në emër dhe të përdorin emrin e tij të familjes, Sinhala, gjatë bisedave.
Megjithëse unë nuk marr pjesë në takimet periodike që ai organizon për gazetarët, nuk kalon muaji dhe ne mblidhemi privatisht ose me pak miq të ngushtë, darkave vonë, në rezidencën presidenciale. Aty shkëmbejmë anekdota, diskutojmë për politikën dhe bëjmë humor për kohërat e arta të së shkuarës. Këtu ai e meriton t’ia kujtojmë disa gjëra.
Mahinda, kur ju më në fund luftuat për t’u zgjedhur kandidat presidencial i partisë Liria e Sri Lankës në vitin 2005, nuk ishe askund tjetër i mirëpritur sa në këtë gazetë.
Ne thyem një traditë dhjetëvjeçare duke t’u referuar ty gjatë gjithë kohës me emrin e parë. Kaq i njohur ishte përkushtimi yt për të drejtat e njeriut dhe vlerat liberale, saqë ne të lejuam të hyje si një fllad i freskët.
Pastaj, përmes një veprimi naiv, ti u përfshive në skandalin “Helping Hambantota”. Pas shumë diskutimesh të gjata ne vendosëm ta botojmë ngjarjen, duke të kërkuar t’i ktheje paratë. Deri në kohën që i ktheve, disa javë më vonë, reputacionit yt kishte marrë një goditje të fuqishme. Një goditje prej së cilës ende nuk e ke mbledhur veten.
Ti më ke thënë vetë që nuk ishe i babëzitur për presidencën. Ty nuk t’u desh të vrapoje pas saj: ajo të ra në prehër. Më ke thënë se djemtë e tu janë lumturia jote më e madhe dhe se të pëlqen të rrish me ta, duke lënë vëllezërit e tu të drejtojnë makinerinë shtetërore. Tani është e qartë për të gjithë që e shikojnë se makineria ka punuar kaq mirë, djemtë e mi dhe vajza ime nuk kanë baba.
Në vigjilje të vdekjes sime, e di që ti do të bësh zhurmën dashamirëse të zakonshme dhe t’i bësh thirrje policisë të bëjë një hetim të hollësishëm e tërësor. Por si të gjitha hetimet që ke urdhëruar në të shkuarën, edhe nga ky nuk do të dalë gjë. Për hir të së vërtetës, ne e dimë të dy kush do të fshihet pas vdekjes sime, por nuk guxojmë t’ia përmendim emrin. Jo vetëm imja, por edhe jeta jote varet prej tij.
Sa për mua, unë kam kënaqësinë e të diturit që eca kryelartë dhe nuk iu përkula askujt. Dhe këtë udhëtim nuk e kam bërë vetëm. Kolegët gazetarë në degët e tjera të medies kanë udhëtuar me mua: shumica tani janë të vdekur, të burgosur pa gjyq ose në azil në vende të largëta. Të tjerët ecin nën hijen e vdekjes që presidenca jote ka lëshuar mbi liritë, për të cilat dikur t’i luftove aq shumë. Ti kurrë nuk do të lejohesh të harrosh se vdekja ime ndodhi nën vëzhgimin tënd. E di që do të prekesh, por e di gjithashtu që nuk do të kesh rrugë tjetër veç të mbrosh vrasësit e mi: do ta shikosh që fajtori nuk dënohet kurrë. Nuk ke rrugë tjetër. Ndërsa për lexuesit e “Sunday Leader” nuk ka ç’të them veç faleminderit për mbështetjen e misionit tonë. Ne kemi përqafuar kauza jo fort përkrahura, ne bëmë qëndresë për ata që janë të dobët t’i përballojnë vetë, i përplasëm brirët me të ngriturit dhe të fuqishmit që janë fryrë kaq shumë me pushtet, saqë kanë harruar rrënjët e tyre, ekspozuam korrupsionin dhe shpërdorimin e parave tuaja të fituara me djersë dhe qëndruam në gatishmëri që, pavarësisht propagandës së ditës, ju të kishit mundësi të dëgjonit pikëpamjen e kundërt. Për këtë unë dhe familja ime kemi paguar çmimin që unë e dija prej kohësh se një ditë do ta paguaja. Unë jam dhe gjithmonë kam qenë i gatshëm për këtë. Nuk kam bërë asgjë ta parandaloj këtë përfundim: nuk kam marrë asnjë masë mbrojtëse ose parandaluese. Unë dua që vrasësi im ta dijë se unë nuk jam një frikacak siç është ai, duke u fshehur pas mburojash njerëzore, ndërsa dënon mijëra të pafajshëm me vdekje. Çfarë jam unë mes kaq shumë vetëve? Është shkruar prej kohësh se do të më merret jeta dhe nga kush. Vetëm koha – kur – nuk është shkruar ende. Është shkruar gjithashtu edhe që “Sunday Leader” do të vazhdojë të luftojë betejën fisnike. Sepse unë e kam bërë këtë betejë vetëm. Shumë prej nesh duhet të vriten – e do të vriten – para se “Sunday Leader” të mbyllet. Shpresoj që vrasja ime nuk do të shihet si mposhtje, por frymëzim që ata që do të mbijetojnë të shtojnë forcat. Shpresoj që vdekja ime do të ndihmojë në galvanizimin e forcave që do të prijnë drejt një ere të re për lirinë njerëzore në atdheun tonë të shtrenjtë. Shpresoj gjithashtu që të hapë sytë e presidentit tuaj përballë faktit se, pavarësisht sa veta do të vriten në emër të patriotizmit, shpirti njerëzor do të durojë dhe lulëzojë. Njerëzit më pyesin shpesh pse u futem këtyre rreziqeve dhe më thonë se vdekja ime është vetëm çështje kohe. Sigurisht unë e di: është e pashmangshme. Por, nëse ne nuk e ngremë zërin tani, nuk do të mbetet kush të flasë në emër të atyre që nuk munden, qoftë minoriteteve etnike, qoftë të pamundurve dhe të persekutuarve. Një shembull që më ka frymëzuar mua gjatë gjithë karrierës sime gazetareske ka qenë ai i teologut gjerman, Martin Niemöller. Në rini ai ishte antiçifut dhe admirues i Hitlerit. Kur nazizmi mori pushtetin, ai e pa nazizmin ashtu siç ishte. Hitleri nuk donte të zhdukte vetëm çifutët, por të gjithë ata që kishin një këndvështrim alternativ. Niemöller ngriti zërin dhe për fatin e keq të tij u syrgjynos në kampet e përqendrimit në Sachsenhausen dhe Dachau nga 1937 në 1945 dhe gati u ekzekutua. Gjatë kohës në kamp ai shkroi një poemë, që sa e lexova për herë të parë në adoleshencë më ngeli në mendje:
“Fillimisht ata erdhën për çifutët dhe unë nuk e ngrita zërin, se nuk isha çifut. Pastaj ata erdhën për komunistët dhe unë nuk e ngrita zërin, se nuk isha komunist. Pastaj ata erdhën për sindikalistët dhe unë nuk e ngrita zërin, se nuk isha sindikalist. Pastaj ata erdhën për mua dhe aty nuk kishte mbetur njeri të ngrinte zërin për mua.”
Nëse do të mbani mend vetëm një gjë, atëherë mbani vetëm këtë: “Sunday Leader” do të jetë aty për ty, kushdo qofsh ti – sinhaleze, tamil, mysliman, klasë e ulët, homoseksual, disident apo i fizikisht i paaftë.
Stafi i saj do të vazhdojë betejën, të papërkulur dhe të papërkulur, me kurajën me të cilën ju jeni mësuar tashmë. Mos e nënvleftësoni përkushtimin e tyre. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, të gjitha sakrificat që gazetarët bëjnë, ata nuk i bëjnë për lavdinë e tyre apo pasurim: ato bëhen për ju. Nëse ju i meritoni sakrificat e tyre apo jo, kjo është një tjetër çështje. Sa më përket mua, Zoti e di që u përpoqa.
1 – Këtu autori bën analogji me sportin e kriketës, që nuk njihet shumë në Shqipëri, dhe jemi munduar ta përkthejmë sa më kuptueshëm të jetë e mundur, por qëllimi final i figuracionit është: sulmi ndaj opozitës nuk ka asnjë kuptim.
Shënim: Ky është një variant i redaktuar i artikullit të botuar si editorial i “Sunday Leader” më 11 janar. Autori i tij, bashkëthemelues i gazetës në vitin 1994, u vra tri ditë më herët nga tre persona të armatosur dhe të paidentifikuar, ndërsa po shkonte në punë. Besohet se editorialin e ka shkruar vetëm pak ditë para vrasjes.