E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u flet studentëve, pasi i keqpërdori për ligjin e dosjeve

Nga Armand Maho

Kryeministri, Sali Berisha, foli nga universiteti i Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, në lidhje me vendimin e presidentit Bamir Topi për të heshtur në lidhje me ligjin e lustracionit. Jo më kot kryeministri foli nga ky universitet. Disa studentë të tij, të dirigjuar nga interesa politike brenda universitetit e më tej, i kërkuan presidentit që të shprehet në favor të ligjit të dosjeve. Edhe pse hallet e tyre janë shumë më të mëdha e ligji i dosjeve nuk hyn farë në axhendën e tyre, studentët u përdorën nga kryeministri e mediet afër tij. Por në bashkëbisedim me kryeministrin, ata të paktën kanë pasur mundësi ta pyesin atë për problemet kryesore të tyre, si cilësia e universiteteve, e diplomave, punësimi e të tjera. Sigurisht për to nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete, veç premtimeve, e në rastin më të keq dhe deklaratave të kryeministrit se situata është e mrekullueshme për ta.

Fillimisht studentët e kanë pyetur se pse nuk ka në universitetin e tyre një diplomë të tipit master për gjuhën shqipe. “Më duhet të shpreh publikisht mosaprovimin tim për një qëndrim tërësor nënvlerësues ndaj gjuhës shqipe. Në këtë kontekst, i kërkoj Ministrisë së Arsimit të kërkojë që kjo gjuhë të vendoset në piedestalin që meriton. Gjuha shqipe edhe në programet mësimore është e vlerësuar në mënyrë të padrejtë”, - u shpreh kryeministri.

I pyetur se nëse hapja e universiteteve private i dëmton ato publike, Berisha tha se do të ndodhë e kundërta. “Jo vetëm që këto universitete nuk përbëjnë problem për sektorin publik, por sektori publik duhet të gjejë mënyrat se si t’i japë akses sektorit privat për kontributet financiare. Ne tashmë kemi arritur të ngremë një bord të ri, bordi i administrimit, ku kemi edhe biznesmenë dhe ky ishte qëllimi ynë, futja e biznesit në bordin e universiteteve, në mënyrë që ata të afrohen me kontribute”, - tha Berisha.

Ndërsa shqetësimit kryesor të studentëve, punësimit, Berisha iu përgjigj se punësimi i tyre është problem i dytë madhor i qeverisë. Se kush është i pari, nuk u sqarua. “Rezultatet janë këto. Instituti Kombëtar i Statistikave për 9 muajt e parë të vitit 2008 jep statistika të certifikuara nga FMN se Shqipëria ka një rritje rreth 10 për qind”, - tha Berisha, i cili foli për parqe industriale e hidrocentrale, por për asnjë moment nuk tha se sa është ulur papunësia në vend, që kur ka ardhur në pushtet ai. Shifrat tregojnë krejt të kundërtën.

I pyetur se pse diplomat nuk jepen në koherencë me tregun, Berisha sërish dha një premtim. “Universitetet janë shtretërit e mendimit intelektual, por sëmundja jonë është konformizmi, sepse konformohemi me atë që krijojmë dhe e kemi të vështirë të ndryshojnë. Ju jap fjalën se universitetet do të përshtaten me tregun dhe ky është një kusht themelor”, - tha kryeministri.

As për liberalizimin e vizave nuk është dhënë asnjë afat nga kryeministri, edhe pse është kërkuar nga studentët.

Berisha: Ishte e drejtë kushtetuese e Topit heshtja

Kryeministri, Sali Berisha, ka preferuar të mos e komentojë vendimin e presidentit në lidhje me ligjin për lustracionin.

“Në 1995 bëra këtë ligj që është absolutisht anti-hakmarrje. Ka një dallim mes demokracisë dhe diktaturës. Diktatura është urrejtje dhe hakmarrje, demokracia është mirëkuptim, kompromis, pajtim. Këto janë nga ana e vlerave. Që ju të keni në krye të sistemit të drejtësisë vetëm ata, të cilët i kanë duart e tyre të lyera me gjak, kjo nuk mund të pranohej më tutje. E vura ligjin në 1995, mora variantin çek, u përkthye dhe u zbatua. Ligji çek ishte miratuar në 1991, ishte vlerësuar kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë. Pasi u nda Çekosllovakia, ish-komunistët në pushtet erdhën në Sllovaki dhe anuluan ligjin në parlament. Prandaj, kthimi majtas është kthim prapa. Në kohën kur çekët dhe shqiptarët kishin bërë ligjin, nuk kishte dokumente ndërkombëtare.

Në vitin 1996, Këshilli i Evropës miratoi platformën e lustracionit, e cila theksonte; e para, do të duhet të bëhet drejtësi retroaktive, e dyta duhet të konsiderohet krim edhe ajo që gjatë diktaturës ka përbërë krim, por ka qenë një e drejtë në një shoqëri të lirë dhe, e treta, nuk mund të përdoren metodat e përparshme ndaj atyre që lustrohen. Ky është një kufizim i përkohshëm të drejtash dhe, ç’është e vërteta, nuk ka vend në botë që s`ka bërë kufizime të përkohshme dhe ky është një kufizim minimal i një grupi shumë të vogël. Përse u dashka që drejtësia shqiptare të mos drejtohet nga 760 prokurorë apo gjykatës që kanë lidhje me të shkuarën aq sa keni ju, por duhet të drejtohet nga ata që varën në sheshet e Shqipërisë në vitin ’88, apo që urdhëruan lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në rrugët e Shkodrës? Dhe kjo vetëm se ai njeri, në moshën tuaj, kishte kërkuar të dilte jashtë kufirit”, - tha Berisha. “Ligji nuk është për hakmarrje dhe ju garantoj se do të jetë një proces tërësisht transparent, nuk do të ketë asnjë lidhje me ndonjë lloj hakmarrjeje, sepse ata që preken nga ligji do të kenë të drejtë të shkojnë në tre shkallët e gjyqësorit, do të kenë të drejtë t`i drejtohen Strasburgut për të paditur qeverinë dhe parlamentin shqiptar. Ne jemi vendi i lirë, por ajo që kemi përjetuar ishte mjaft e rëndë. Të gjitha vendet e Evropës Juglindore të marra së bashku, nuk kanë as gjysmën e të ekzekutuarve që ka Shqipëria. Çekia, Gjermania, Sllovakia, të marra së bashku, nuk kanë të pushkatuar sa kemi ne gra të pushkatuara nga regjimi komunist. Kombi do të ecë përpara dhe në Shqipëri lustracioni është më jetik se kudo. Nuk kam ndonjë koment të veçantë për qëndrimin e zotit president, ai ka bërë zgjedhjen e vet, ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese, pasi në Kushtetutë presidenti një ligj e firmos, ia kthen parlamentit ose nuk shprehet, ndër tre variantet ka përzgjedhur variantin e mosshprehjes”, - vijoi më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›