E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse e urrejnë kaq shumë Perëndimin?

Nga Robert Fisk, “The Independent”

A i kemi harruar 17,500 të vdekur, pothuajse të gjithë civilë, shumica gra dhe fëmijë, gjatë pushtimit të Libanit nga Izraeli në vitin 1982? 1,700 të vdekur civilë palestinezë në masakrën në Sabra-Chatila? Masakrën e Qanas në vitin 1996 me 106 refugjatë të vdekur civilë libanezë, më shumë se gjysma e tyre fëmijë, në një bazë të OKB? Masakrën e refugjatëve Mahwin, të cilët u urdhëruan nga izraelitët që të ikin nga shtëpitë në vitin 2006, e pastaj u masakruan nga ekipi i një helikopteri izraelit? 1,100 të vdekurit po në vitin 2006, në pushtimin e Libanit, pothuajse të gjithë civilë?

Ajo që është e habitshme, është se një numër i madh udhëheqësish të Perëndimit, presidentë dhe kryeministra dhe, kam frikë, se po kaq shumë redaktorë dhe gazetarë na kujtuan rrenën e vjetër: që izraelitët kujdesen shumë që t'u shmangen vdekjeve civile.

“Izraeli bën çdo përpjekje që të shmangë vdekjen e civilëve”, - tha edhe një ambasador tjetër i Izraelit, vetëm pak orë para masakrës së Gazës. Dhe secili president dhe kryeministër, i cili përsëriti këtë gënjeshtër si një arsyetim që të shmanget një armëpushim, kanë gjak kasapi në duart e tyre. Nëse George Bush do të kishte guximin që të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm 48 orë më herët, ata 40 civilë, të moshuarit dhe gratë e fëmijët, do të ishin gjallë tani.

Ajo që ndodhi nuk ishte vetëm e turpshme. Ishte pafytyrësi. A do të ishte shumë i fuqishëm përshkrimi ‘krim lufte’? Sepse ashtu do t’i quanim këto krime, në qoftë se do të kryheshin nga Hamasi. Prandaj kam frikë se ishte një krim lufte. Pasi kam raportuar aq shumë vrasje masive nga armiqtë e Lindjes së Mesme, nga ushtarët e Sirisë, Irakut, Iranit, Izraelit, ma merr mendja se cinizmi duhet të jetë reagimi im. Por Izraeli thotë se po lufton kundër “terrorit ndërkombëtar”. Izraelitët thonë se po luftojnë në Gazë për ne, për idealet tona perëndimore, për sigurinë tonë, me standardet tona. Dhe për këtë po marrim pjesë në egërsinë që po ushtrohet tani përmbi Gazën.

Kam raportuar arsyetimet, të cilat i ka shprehur ushtria e Izraelit në të kaluarën për këto mizori. Meqë orët që vijnë mund të jenë shumë të nxehta, ja ku janë disa nga to: që palestinezët i kanë vrarë vetë refugjatët e tyre, që palestinezët nxorën trupa nga varrezat dhe i vendosën nëpër rrënoja, që palestinezët duhen fajësuar, se ata përkrahën një fraksion të armatosur, ose që palestinezët e armatosur i përdorën me qëllim refugjatët e pafajshëm si mburojë.

Masakrat Sabra dhe Chatila u kryen nga aleatët e së djathtës së Izraelit, falangistët libanezë, gjersa ushtarët e Izraelit, ashtu si zbuloi vetë komisioni hetues i Izraelit, panë për 48 orë dhe nuk bënë asgjë. Kur u fajësua Izraeli, qeveria e Menachem Begin-it akuzoi botën për shpifje të përgjakjes. Pasi artileria izraelite kishte goditur bazën e OKB në Qana, në vitin 1996, izraelitët thanë se Hezbollahu i armatosur gjithashtu po fshihej në atë bazë. Ishte një gënjeshtër, më shumë se 1,000 të vdekurit e vitit 2006, një luftë që nisi, kur Hezbollahu kapi dy ushtarë të Izraelit në kufi, thjesht u shpërfillën si përgjegjësi e Hezbollahut. Izraeli tha se trupat e fëmijëve të mbytur në masakrën e dytë në Qana mund të ishin marrë nga varrezat. Kjo ishte një gënjeshtër tjetër. Masakra e Marwahinit kurrë nuk u fal. Populli i fshatit u urdhërua të ikte, iu bind urdhrave të Izraelit, e pastaj u sulmua nga armët e Izraelit. Refugjatët i morën fëmijët e tyre dhe i vendosën përreth kamionit, me të cilin po udhëtonin, në mënyrë që pilotët e Izraelit të shihnin se ishin të pafajshëm. Pastaj helikopteri i Izraelit i vrau për së afërmi. Vetëm dy mbijetuan, duke u bërë si të vdekur. Izraeli as që kërkoi falje.

Para dymbëdhjetë viteve, një tjetër helikopter i Izraelit sulmoi një ambulancë që mbante civilë nga një fshat aty afër, sërish pasi ishin urdhëruar nga Izraeli që të iknin, dhe vranë tre fëmijë dhe dy gra. Izraelitët thanë se një luftëtar i Hezbollahut ishte në ambulancë. Kjo nuk ishte e vërtetë. Unë i raportova të gjitha këto mizori, i hulumtova të gjitha, fola me të mbijetuarit. Ashtu bënë edhe disa kolegë të mi. Fati ynë, natyrisht, ishte një shpifje nga më të përgojuarat: ne u akuzuam se ishim antiçifutë.

Dhe e shkruaj këtë gjë pa asnjë dyshim: do t'i dëgjojmë këto fabrikime skandaloze sërish.

Ne do ta kemi gënjeshtrën, ku fajësohet Hamasi, por Zoti e di, ka mjaft gjëra, për të cilat mund të fajësohen edhe pa ua shtuar këtë krim, dhe ndoshta edhe do ta kemi gënjeshtrën e trupave nga varrezat dhe definitivisht do ta kemi gënjeshtrën Hamasi ishte në shkollën e OKB, dhe definitivisht do ta kemi gënjeshtrën antisemitizëm. Dhe udhëheqësit tanë do të murmurisin dhe do t'ia përkujtojnë botës se Hamasi në fillim e shkeli armëpushimin. Por nuk ishte kështu. Izraeli e shkeli, së pari më 4 nëntor, kur bombardimet e tij vranë gjashtë palestinezë në Gazë dhe pastaj sërish më 17 nëntor, kur një tjetër bombardim vrau katër palestinezë të tjerë.

Po, izraelitët meritojnë siguri. 20 izraelitë të vdekur brenda 10 viteve përreth Gazës është një numër i pamëshirshëm. Por 600 palestinezë të vdekur në vetëm një javë, me mijëra gjatë viteve që nga viti 1948, kur masakra izraelite në Deir Yassin ndihmoi në fillimin e ikjes së palestinezëve nga ajo pjesë e Palestinës që do të bëhej Izrael, është në një shkallë tërësisht tjetër. Kjo kujton jo një përgjakje normale të Lindjes së Mesme, por një ligësi në nivelin e luftërave të Ballkanit në vitet ‘90. Dhe natyrisht, kur një arab ngjall veten me tërbimin e papërmbajtur dhe nxjerr ndezësin e tij, mllef i verbër ndaj Perëndimit, ne do të themi se s'ka të bëjë asgjë me ne.

“Pse na urrejnë?” - do të pyesim. Por mos të themi se nuk e dimë përgjigjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›