E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriminalizimi i humanitetit

Nga Ali Podrimja

Nuk i kisha klasifikuar ende gjërat ushqimore, kur ia behu vrap shefi i supermarketit. Më kërkoi falje që nuk i kishte hequr me kohë ca prodhime qumështore, që i kishte nxjerrë jashtë përdorimit Bashkësia Ndërkombëtare, se dëmtonin shëndetin. Kisha qëlluar në një vend mik kur kishte ndodhur afera me prodhimet qumështore në ca vende të Beneluksit. Zotëria prapë kishte kërkuar falje. E shihja se këtë e bënte më tepër për shkak të ndërgjegjes. Nga shporta ime i kishte hequr ca gota jogurt dhe kishte kontrolluar mos kisha edhe diçka nga lista e shënuar. Dyshohej se ca prodhime kishin elemente kanceroze. Zotëria ishte larguar nga unë me ndjesë. Hallakatje të tilla kisha parë në Evropë shpesh. Sanitarët kryenin punën e vet me ndërgjegje të madhe: atë që konsideronin se kërcënon shëndetin, e hiqnin pa pyetur fare. Një herë kisha qëlluar kur i hedhnin edhe dengje ndërresash të brendshme, që, sipas tyre, mund të shkaktonin ndonjë sëmundje të rëndë lëkure.

Rreth këtij problemi, kisha menduar, lufta në Kosovë ishte kryer. A do të vihet rendi dhe mund të ndodhë një kujdes i tillë edhe në Ballkan, ku popujt e luftojnë njëri-tjetrin në çdo mënyrë, edhe përmes luftës biologjike. Do të përjetonim një luftë perfide. Në emër të humanizmit, kush do të zbrazte depot e kush do kryente punën e djallit. Nga literatura kisha njohuri dhe mund ta merrja me mend se deri ku mund të vete mendja e prishur. Sjellja e zotërisë së supermarketit më frikësoi pakëz.

Siç ndodhte në Kosovë, nuk e lexoja vetëm shtypin. Në radio kap një ditë lajmin tronditës nga jugu i Shqipërisë. Në të vërtetë, dëgjoja reagimin ndaj një shoqate greke, që kishte dhuruar afro një milion vezë të dyshimta e nuk i diheshin gjurmët. Zatën, ato ishin nga vendet e Beneluksit, për të cilat Bashkësia Ndërkombëtare kishte mendimin e vet. Por gjesti “human” i një shoqate greke ma kishte kujtuar një tezë të Sheshelit: në mes shqiptarëve të përhapet sida, droga, prostitucioni e çdo gjë që rrënon vitalitetin e tyre. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me dërgesat e gjalpit nga Ukraina. Afati i përdorimit kishte kaluar para pesëmbëdhjetë vjetësh e u dërgohej si ndihmë “vëllazërore” popullit shqipar. Edhe në shtypin tonë është shkruar se ka një dozë të radioaktivitetit në ndërtimtari, por dikush e heshti se nuk jemi në Evropë dhe nuk bën të bëhet e madhe. Dihet, po ashtu, se syri i bashkësisë ndërkombëtare vështirë të kontrollojë çdo gjë që hyn tek ne, por Kosova nuk “bombardohet” nga të gjitha anët. Unë më së pakti besoj se një luftë prefide ndaj nesh mund ta bëjnë ata që predikojnë proceset demokratike.

Se tregtia nuk njeh komb, tregoi edhe internacionalizimi shqiptaro-serb në Fushë-Kosovë, kur u kapën në mënyrë flagrante një grup qytetarësh tanë duke bërë tregti me prostituta nga Rusia e largët. Mirëpo, nga ky kriminalizim i humanitetit mund të mbrohemi nëse zbulojmë adresat nga na vijnë dhe kush i dërgon. Shpesh dërgesat që bëhen kinse në emër të humanitetit, mund të kenë qëllimin e vet. Shefi i supermarketit kishte kërkuar falje, por shoqata greke ishte zhdukur pa gjurmë. Ky farë “humanizmi” nuk dëmton vetëm shëndetin, por vdekëson për një kohë edhe ambientin. Pra, lufta perfide do të jetë më afatgjatë se ajo që ndodhi. Të urtit tonë thoshin: atij me të cilin je vrarë, nuk bën t’i hahet buka, pa u harruar e keqja. Për këtë le të mendojnë edhe ata që në fatkeqësi tonë kërkojnë profitin.

Kur shkruaj këtë tekst, më përfytyrohet fytyra e zotërisë nga Këlni dhe “historia e trishtë dhe e pabesueshme”, siç është quajtur fabula e novelës Erëndira të Markezit. Pas një lufte gjenocidale bën të përjetojmë edhe një formë krejt tjetër?

Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të jetë vetëm syri ynë në zgjedhjen e “dhuratave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›