Berisha lëshon urdhër për stafin politik: Lironi zyrat deri më 31 gusht
Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një urdhër të brendshëm, përmes të cilit i kërkon stafit politik që deri në datën 31 gusht të lirojë zyrat për pasardhësit e majtë. Burime pranë kryeministrit bëjnë të ditur për “GSH”-në se z.Berisha para pak ditësh ka thirrur në zyrën e tij shefen e protokollit, Nadia Qesja, së cilët i ka kërkuar që t’ia përcjellë urdhrin të gjithë stafit politik.
Këtu bëjnë pjesë këshilltarët dhe drejtorët, të cilët në bazë të urdhërit duhet që deri në datën 31 gusht të lirojnë zyrtar e tyre dhe të përgatisin të gjithë dokumentacionin që do t’u lihet gati zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe kryeministrit të ri, Edi Rama.
Një urdhër i tillë nënkupton në mënyrë të qartë dorëheqjen pa përjashtim të njerëzve politikë, të cilët kanë punuar me z.Berisha dhe në këtë rast urdhri nuk ka të bëjë me pjesën tjetër të administratës civile të Kryeministrisë. Nisur nga kjo, i gjithë stafi që i drejtohet urdhëri i brendshëm i z.Berisha ka nisur nga puna për mbledhjen e dokumentacionit dhe përgatitjen e dosjeve që do t’u lihen mbi tryezë pasardhësve të majtë./A.XH