E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha lobon me vendet afrikane për Kosovën

Vendosja e paqes në botë, krijimi i marrëdhënieve të mira mes shteteve, i cili është qëllimi kryesor i Lojërave Olimpike që janë duke u zhvilluar në Pekin, është shfrytëzuar maksimalisht nga Kryeministri Berisha, i cili ka lobuar pro njohjes së pavarësisë ë Kosovës. Gjatë një takimi për frankofoninë, Kryeministri ka pasur takime me liderë të shumtë të Afrikës, që përbëjnë një numër po aq të madh anëtarësh edhe në OKB. Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave bëri të ditur se gjithashtu Kryeministri u takua me shumë liderë afrikanë, me të cilët diskutoi për zhvillimet në rajon, duke u ndalur veçanërisht në pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimet atje. Kryeministri u shpreh për mundësinë e këtyre vendeve për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke kontribuar kështu në paqen dhe stabilitetin e rajonit. “Kosova, - tha Kryeministri, - e njohur si shtet i ri, në një kohë të shkurtër, nga 44 vende, është faktor paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në rajon dhe ajo po ecën e sigurt drejt rrugës së integrimit”. Njëkohësisht, Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit edhe me zhvillimet në Shqipëri, ecurinë e reformave integruese, ndërsa mori vlerësimet e tyre për zhvillimet e mëdha ekonomike, ndryshimet e dukshme dhe arritjet, veçanërisht në vitet e fundit të qeverisjes së kryesuar nga Kryeministri Berisha. Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Frankofonisë, zoti Abdou Doiuf, të pranishëm në këtë takim ishin Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, zoti Jacque Rogge, Presidenti i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Pekinit, z. Liu Qi, si dhe përfaqësues të lartë të 62 vendeve anëtare të kësaj organizate. Qëllimi i këtij takimi ishte promovimi i vlerave dhe përhapjes së gjuhës frënge dhe mbështetja për forcimin e mëtejshëm të saj. Pjesëmarrësit në takim falënderuan Komitetin Ndërkombëtar Olimpik për përzgjedhjen, edhe këtë vit, të gjuhës frënge si gjuhë e Olimpiadës, së bashku me atë angleze. Me këtë rast, Kryeministri pati një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Frankofonisë, zotin Abdou Doiuf, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit reciprok, në kuadër të organizatës. Gjatë këtij aktiviteti, Kryeministri Berisha u takua me shumë homologë dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse, ku diskutoi rreth zhvillimeve në vendet respektive, marrëdhëniet bilaterale, si dhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimit me këto vende. Kryeministri pati një takim me ish-Kryeministrin e Japonisë, zotin Joshiro Mori, të cilin e falënderoi për takimin miqësor mes tyre gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Japoni, si dhe për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë. Kryeministri takoi edhe ish-Kryeministrin francez, Jean Pierre Raffarin, Presidentin e Zvicrës, Kryeministrin e Guinesë etj.

George H. Bush: Shqipëria ka ndryshuar

Ish-Presidenti amerikan, George Herbert Bush, e përgëzon Shqipërinë për ndryshimet e mëdha që ajo po përjeton. Lajmi është bërë publik nga vetë Kryeministri Berisha, i cili gjatë vizitës së tij në Kinë me rastin e Lojërave Olimpike po gjen rastin që të takohet me liderë botërorë dhe ish-drejtues shtetesh. Mes tyre është edhe ish-Presidenti amerikan, George Bush, një prej njerëzve që punoi shumë gjatë drejtimit të tij për shembjen e komunizmit në shumë vende të Evropës Lindore. “Gjithashtu takova edhe mikun e vjetër e të çmuar George Herbert Bush, Presidentin e 41-të të SHBA-së. Pasi u përshëndetëm me shumë ngrohtësi, George Herbert Bush na përgëzoi dhe vlerësoi për të gjithë ndryshimet e mëdha që po përjeton Shqipëria”, - theksoi Kryeministri Berisha për agjencinë e lajmeve INA. Gjatë një prononcimi dhënë për agjencinë e lajmeve INA, Kryeministri Berisha dha detaje mbi takimet që zhvilloi me Presidentin e SHBA-së, George Bush, presidentin francez Nikolas Sarkozi dhe me presidentin kinez, Hu Xintao, ku në agjendën e tij është diskutuar njohja e shtetit të Kosovës. Kryeministri Berisha tha se ka përshëndetur Presidentin e SHBA-së, George Bush dhe e ka falënderuar për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Presidenti Bush u interesua shumë për Shqipërinë, ndërkohë që në një gjest miqësor na paraqiti miq shumë të mirë edhe tek presidenti i Brazilit, Lula dhe Presidentja e Filipineve, Gloria Arroyo”, - shtoi më tej kryeministri. Kryeministri shqiptar tha se u ka bërë thirrje autoriteteve kineze që ta shqyrtojnë mundësinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Natyrisht që u kam bërë thirrje autoriteteve kineze që ta shqyrtojnë mundësinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe në takimin tim me ministrin e Jashtëm në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Van Xhia Rui, kam shprehur vlerësimin e lartë, që do të kishte një rishqyrtim dhe rikonsiderim i pavarësisë së Kosovës nga ana e këtij shteti”, - theksoi Berisha. Në takimin me Presidentin e Kinës, Hu Xintao, Kryeministri thotë se ka biseduar për tema të ndryshme dhe e ka pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. “Me presidentin Hu Xintao bisedova për tema të ndryshme dhe na ka pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në një drekë të organizuar, presidenti Hu Xintao i cilësoi Olimpiket një mundësi për të gjithë botën, që të ndërtojë "solidaritetin, miqësinë dhe paqen", bota ndeshet me "mundësi të papara zhvillimi dhe sfida të vështira" dhe se për përballimin e tyre nevojitet mirëkuptimi reciprok dhe bashkëpunimi”, - tha Berisha. Ai tha ka takuar Presidenti e Francës, Nikolas Sarkozi, i cili premtoi se së shpejti do të vijë për vizitë zyrtare në Tiranë.

Biznesi kinez shfaq interes në fushën e ndërtimit

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Pekin, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me drejtorin e Kompanisë Kombëtare të Materialeve të Ndërtimit, SINOMA GROUP, zotin Tan Zhongming, si dhe me inxh. Si Guochen, Drejtor Nderi i saj. SINOMA GROUP, Kompania Kombëtare e Materialeve të Ndërtimit të Kinës, ka hapur tashmë filialin e saj të rëndësishëm në Shqipëri, CMBI, në fushën e prodhimit të çimentos në Fushë-Krujë dhe po vazhdon me sukses aktivitetin e saj. Përfaqësuesit e lartë të kësaj kompanie mjaft të fuqishme në Kinë e falënderuan Kryeministrin Berisha për përkrahjen dhe ndihmën që ka treguar në zgjerimin e aktivitetit të saj në Shqipëri, si dhe shprehën vlerësimet maksimale për zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë shqiptare dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj. Ata theksuan se në Shqipëri ndihet qartë një klimë shumë e favorshme si nga qeveria shqiptare, ashtu dhe nga vetë shqiptarët, për biznesin ndërkombëtar, fakt ky që ka nxitur rritjen e investimeve në Shqipëri dhe ka sjellë një perspektive të qartë e optimiste për investime të mëtejshme. Kryeministri Berisha i falënderoi drejtuesit e lartë të SINOMA GROUP për prezencën e tyre dhe punën për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë, si dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare do të tregojë një vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme për kompani të tilla prestigjioze nga vendi mik. Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha i njohu përfaqësuesit e biznesit me ecurinë e reformave ekonomike në vend, me lehtësitë që u ofron një sistem i favorshëm fiskal si yni, me kushtet e favorshme të krahut të punës në vendin tonë, si dhe me perspektivën shumë të mirë që ka Shqipëria, duke qenë kaq pranë një tregu të madh si ai evropian. Drejtori i SINOMA GROUP uroi që sportistët shqiptarë të kenë sukses e të kthehen me medalje në Shqipëri, ndërsa Kryeministri shprehu vlerësimin maksimal për organizimin me nivel shumë të lartë, për magjinë dhe perfeksionin e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”, e cila u zhvillua një ditë më parë.

Intervista, Kryeministri vlerëson mikpritjen kineze

Në një interviste për Radio Kina Internacional (CRI), Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet për punën përgatitore, organizimin dhe mikpritjen e Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. “Mikpritja kineze është e përsosur, por mendoj se po në këtë lartësi janë të gjitha terrenet, i gjithë organizimi dhe trajtimi, pra, çdo gjë ecën me një përsosmëri të vërtetë”, - u shpreh Kryeministri gjatë intervistës të përkthyer në 43 gjuhë të botës. Kryeministri vlerësoi zhvillimin dhe ndryshimet që Kina ka pësuar, duke i konsideruar ato befasuese. “Unë i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në vendin tuaj të madh. Kina po përfaqëson sot eksperimentin më të madh të ndryshimit në botë dhe në këtë kontekst, gjej gjithmonë ndryshime befasuese në çdo udhëtim timin. Por dua të theksoj një moment shumë të rëndësishëm. Admirova edhe përpjekjen e urbanistëve të Pekinit për të ruajtur hapësirën e gjelbër. Ndërtime ultramoderne, gradaçela të shumta, por edhe hapësira e gjelbër, jetike për qytetarët, mu duk e ruajtur dhe e fuqishme”. Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë në Kinë, një ditë më parë ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”. Para hapjes së Olimpiadës, Kryeministri Berisha ka përshëndetur, në një pritje në selinë e ambasadës shqiptare në Pekin, ekipin olimpik shqiptar, pjesëmarrës në këto Lojëra. Gjatë pritjes të dhënë nga Presidenti kinez Hu Xintao për nder të të ftuarve në ceremoninë e hapjes së këtyre lojërave, Kryeministri Berisha është takuar dhe ka biseduar me personalitete të larta botërore. Gjithashtu gjatë qëndrimit në Pekin, Kryeministri është takuar me drejtues të kompanive prestigjioze kineze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›