E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Qeveria të dëmshpërblejë ish-të përndjekurit

Demokristianët i kërkojnë qeverisë që të dëmshpërblejë ish-të dënuarit politikë para zgjedhjeve të 2009-s. Sekretari politik i kësaj partie, Lazër Stani, deklaroi dje se PDK është kundër projektit të bërë publik nga ana e Ministrisë së Financave, sipas të cilit, ish-të dënuarit politikë do të dëmshpërblehen respektivisht me nga dhjetë milionë dollarë në vit, në periudhën 2009–2011. “Ne gjykojmë se pasi dëmshpërblimi i ish-të dënuarve politikë u la në harresë të plotë për tre vjet, qeveria nëpërmjet këtij projekti demagogjik, kërkon të manipulojë sërish me shtresën e ish-të dënuarve politikë në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare”, - tha Stani gjatë një komunikimi me mediat. Ai bëri të ditur se grupi parlamentar i Partisë Demokristiane me të filluar sesioni i ri parlamentar do të thërrasë në interpelancë ministrin e Financave dhe do të kërkojë zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë. “PDK nuk mund të pranojë që dëmshpërblimi i ish-të dënuarve politikë t’i lihet si detyrë e pakryer qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, - shtoi sekretari politik i kësaj partie. Sipas demokristianëve, moszbatimi i ligjit për dëshshpërblimin e ish-të dënuarve politikë bën që të dyshojnë se ne ende qeverisemi nga zgjatime të diktaturës, çka sipas Stanit, ende udhëhiqen në punën e tyre nga filozofia e urrejtjes klasore dhe e luftës së klasave. “PDK gjykon, se përveç dëmshpërblimit financiar për vitet e vuajtjes së padrejtë, shoqëria shqiptare dhe në veçanti mazhoranca e djathtë duhet të investojë më shumë për integrimin e plotë të kësaj shtrese në jetën politike dhe publike. Është rasti të kujtojmë se edhe i vetmi ministër që vinte nga kjo shtresë, kryetari i PDK-së, z. Nard Ndoka, u largua nga qeverisja pa asnjë argument dhe në shkelje të hapur të marrëveshjes së nënshkruar midis partisë sonë dhe PD-së”, - deklaroi Stani. Demokristianët fajësojnë qeverinë që edhe pse kanë kaluar tre vjet që mazhoranca e djathtë është në pushtet, qeveria e krijuar nga kjo mazhorancë nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk ka parashikuar asnjë fond në buxhet për dëmshpërblimin e kësaj shtrese në përputhje me ligjin e miratuar nga Kuvendi për këtë çështje. Stani tha më tej se pavarësisht premtimeve elektorale, të përsëritura në çdo fushatë zgjedhore, qeveritë shqiptare kanë ndjekur të njëjtën politikë bojkotuese ndaj kësaj shtrese që u burgos, u mbyll në kampet e tmerrshme të punës, u persekutua egërsisht nëpërmjet luftës kriminale të klasave dhe shumë prej përfaqësuesve të saj u ekzekutuan, ose vdiqën burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar, vetëm e vetëm se mbrojtën në shpirt vlerat më të mira shqiptare dhe evropiane, vetëm e vetëm se kundërshtuan dhe nuk pranuan të bëhen palë me regjimin kriminal që instaloi diktatura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›