E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Qeveria të pezullojë rektorin e Universitetit të Vlorës

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje nga qeveria shqiptare dhe nga MASH që të pezullojë nga detyra rektorin e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Petrit Vasili, qeveria duhet të ndalë menjëherë këtë sulm antikombëtar të ndërmarrë nga një rektor i papërgjegjshëm për të cilin Shqipëria është një vend i huaj dhe ta pezullojë atë urgjentisht, për të mos e shndërruar universitetin “Ismali Qemali” në Vlorë në një institucion arsimor që kultivon hapur me anë të veprimeve të rektorit të gabuar të tij ndjenja të rrezikshme antikombëtare. “Kryeministri Berisha, zv.kryeministri, ish-ministri i Arsimit dhe ministri aktual i Arsimit vazhdojnë të sillen me papërgjegjshmëri të plotë duke luajtur indiferentin, a thua së bëhet fjalë për një figure historike diku larg mijëra kilometra tutje Shqipërisë, e jo për një nga figurat si Ismail Qemali, që me emrin dhe veprën e tij të çmueshme patriotike ka bërë të ndihet mirë çdo shqiptar. Njëkohësisht, ai reagoi lidhur me mungesën e krerëve të shtetit. Vasili tha se Shqipëria ndodhet pa drejtim shtetëror, sepse krerët më të lartë të shtetit shqiptar kanë zgjedhur ta lënë atë në dorë të Zotit, duke qenë jashtë vendit që të gjithë. Sipas tij, moskoordinimi, papërgjegjshmëria dhe mungesa e pashembullt e seriozitetit e ka lënë vendin pa asnjë pikë referimi kushtetuese shtetërore. “Ju kujtojmë zotërinjve që kanë marrë përsipër të qeverisin këtë vend se duhet t’u kthehen sa më parë zyrave të tyre, të cilat i kanë braktisur prej kohësh, se populli nuk i ka zgjedhur dhe nuk i paguan sa frëngu pulën ata që të flladiten të gjithë bashkë rrugëve të botës, se është Shqipëria ajo për të cilën duhet të përgjigjen”, - tha Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›