Kukës, 8.2 milionë lekë investime në një lagje të qytetit
8.2 milionë lekë është fondi i Bashkisë së Kukësit në bashkëpunim me PNUD-in për përmirësimin e infrastrukturës së lagjes Gostil. Duke e bërë të ditur këtë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj, tha se përmes këtij investimi parashikohet ndërtimi i trotuareve, i ngritjes së sipërfaqeve të gjelbëruara dhe sistemi i ndriçimit e sinjalistikës. Të gjitha punimet parashikohet të përfundojnë brenda muajit tetor të këtij viti duke ndërtuar rreth 400 metër katrorë trotuare, rreth 800 metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruar, si dhe vendosjes e gjithë sistemit të ndriçimit në rrugët kryesore të lagjes. "Pas këtij projekti për këtë lagje po përgatiten edhe dy projekte të tjera, si lidhja e lagjes me Unazën e qytetit si dhe për vendosjen e sistemit të unazës brenda lagjes", - thotë Halilaj. Gostili është lagjja më periferike e qytetit të Kukësit. Ajo iu bashkëngjit bashkisë 10 vjet më parë.