Bregu: Nuk jemi prapa vendeve të rajonit
Ndryshe nga ç’thuhej në një analizë të BBC-së, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, mendon se Shqipëria nuk është aspak prapa vendeve të tjera të rajonit, përkundrazi ajo është më para se disa vende në procesin e integrimit. Megjithëse nuk jep vlerësime për analizat e mediave, ajo bën të ditur se për të matur ecurinë në këtë proces merren parasysh raportet e organizatave ndërkombëtare dhe në veçanti ato të BE-së. Në këtë mënyrë, Bregu thotë se jemi më para se Bosnje-Hercegovina, Serbia, Kosova e Mali i Zi. Gjithashtu, ajo bën të qartë se as Maqedonia nuk është më para nesh në parametrat tregues, pavarësisht se ka fituar tashmë statusin kandidat. Ndërkohë ajo e sheh si sinjal pozitiv dhe faktin që opozita kërkon që qeveria shqiptare të aplikojë për statusin e kandidatit. Sipas Bregut, “kjo kërkesë tregon aprovimin e opozitës për reformat e kryera nga qeveria”. Ndërkaq, sipas ministres Bregu fillimi i vitit 2009 do të shënojë edhe fundin e procesit të ratifikimit të MSA-së përmes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, konfirmoi dje mbylljen e shpejtë të këtij procesi, pothuaj 2 vjet e gjysmë pas firmosjes së MSA-së, ndërkohë që ende marrëveshja nuk është ratifikuar plotësisht nga Franca, Gjermania dhe Greqia. Ndërkaq, duke iu referuar sfidave që Shqipëria ka në fushën ekonomike, sigurisë etj., por edhe situatës ku ndodhet vetë Bashkimi Evropian, anëtarësimi i Shqipërisë në këtë strukturë nuk do të ndodhë para vitit 2014-2015, afate këto që gjithsesi nuk janë të ngurta e të përcaktuara prerë. Shqipëria nënshkroi MSA-në më 12 qershor të vitit 2006 dhe tashmë ka nevojë vetëm për aprovimin e tre parlamenteve, atij francez, atij gjerman dhe grek. Surpriza e këtij procesi të gjatë ratifikimesh ishte padyshim Greqia, e cila pavarësisht marrëdhënieve të mira të theksuara aq shpesh në deklarata publike ende nuk ka kaluar në Parlament MSA-në për Shqipërinë.