E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha lutet për zgjedhjet në tempullin e Budës

"Natyrisht u luta, jo vetëm për zgjedhjet, por në tërësi, se është Zoti i një besimi që ndjell mbarësi"


Qeveria e ka marrë shumë "seriozisht" krijimin e infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Aq sa, edhe gjatë udhëtimeve jashtë shtetit, në vizita zyrtare, Kryeministri ynë mendon vetëm për të arritur standardet e kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë.

Kështu, edhe gjatë vizitës që po zhvillon në Lindjen e Largët, kreu i qeverisë jo vetëm që ka menduar, por edhe është lutur për to. Kështu, gjatë qëndrimit të tij në Kinë, shefi i ekzekutivit ka zhvilluar një vizitë edhe në tempullin Budist të Nanshasë, ku është lutur për zgjedhjet në Shqipëri.

Një fakt të tillë e ka pranuar vetë Kryeministri pasi ka dalë nga tempulli, por pa bërë të ditur nëse lutja ishte bërë për standardet e zgjedhjeve apo për fitimin e tyre. I pyetur nga gazetarët nëse gjatë këtij rituali ishte lutur për zgjedhjet në Shqipëri, Berisha ka deklaruar:

"Buda është për ne simbol i mbarësisë. Natyrisht u luta, jo vetëm për zgjedhjet, por në tërësi se është Zoti i një besimi që ndjell mbarësi, mirëkuptim, tolerancë dhe unë pata shumë kënaqësi për këto momente që kalova në këtë tempull, ndër më mbresëlënësit që kam vizituar në jetën time".

Ndërkohë që kreu i qeverisë lutet në Kinë, në Shqipëri opozita ka dhënë alarmin për dështimin e këtij procesi për shkak të pamundësisë financiare që kanë një kategori e caktuar qytetarësh për t'u pajisur me letërnjoftime elektronike, si një nga dy mjetet me të cilat mund të votohet.

Qeveria e kryesuar nga Berisha ka refuzuar deri më tani që të pranojë propozimin e socialistëve për shpërndarjen e kartave falas, për të gjithë ata shtetas që s'kanë pasaportë, si mundësia e vetme për të nxituar ata që të shkojnë të aplikojmë për t'u pajisur me karta identiteti.

Për shkak të angazhimit të tij në vizitën në Kinë, kreu i qeverisë ende nuk ka dhënë një përgjigje për letrën dhe ftesën që kreu i opozitës, Edi Rama, i bëri para disa ditësh për t'u ulur në një tryezë bisedimesh dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur për këtë çështje.

Gjatë vizitës në Kinë, kreu i qeverisë është ndalur në qytetin e Zhenzhenit, ku dhe është takuar me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, si dhe ka vizituar një sërë biznesesh të rëndësishme që operojnë në të, duke i ftuar ata që t'i shtrijnë investimet e tyre edhe në vendin tonë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›