Kroacia mohon marrëveshjen me Shqipërinë
Ministria kroate e Ekonomisë ka përgënjeshtruar zërat për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes në fund të muajit.
Centrali atomik
Kroacia përgënjeshtron zërat mbi marrëveshjen e arritur me qeverinë shqiptare për ndërtimin e një centrali bërthamor, për prodhimin e energjisë në zonën e Shkodrës.
Është vetë qeveria kroate ajo që ka mohuar dje zyrtarisht zërat për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë me Shqipërinë në fund të muajit prill.
Në një deklaratë zyrtare të Ministrisë kroate të Ekonomisë, e publikuar në disa prej mediave kroate, theksohet se nga qeveria e këtij vendi nuk është bërë asnjë plan për arritjen e një marrëveshjeje të tillë me Shqipërinë në këtë kohë.
"Ministria dhe qeveria kroate nuk kanë lëshuar kurrë ndonjë informacion se po planifikojnë që në fund të muajit të nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e një centrali bërthamor".
Ministria thotë se ekspertët mund të konfirmojnë se, "nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë është i pamundur, pasi projekte të këtij lloji kërkojnë vite të tëra negociatash dhe planifikimesh paraprake".
Njoftimi zyrtar, gjithashtu, mohon edhe shifrën e publikuar në disa media kroate, se centrali do të kushtoje 4 miliardë euro, duke e konsideruar atë si një spekulim mediatik, që nuk mund të mbështetet nga asnjë njoftim zyrtar. Por, megjithatë, duket se në gjithë këtë debat, baza e tij është e vërtetë, pra të dyja vendet Shqipëria dhe Kroacia, janë duke studiuar mundësitë për arritjen e një partneriteti të tillë në fushën e prodhimit të energjisë atomike.
Një fakt i tillë pranohet edhe nga vetë Ministria kroate e Ekonomisë, e cila konfirmon faktin se për këtë çështje është diskutuar gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në fund të marsit në Tiranë, zëvendëskryeministri kroat, Damir Polancec.
"Gjatë kësaj vizite, Shqipëria dhe Kroacia ranë dakord që në fund të prillit të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi dhe të ngrenë një grup pune të përbashkët në nivel ekspertësh, për të prodhuar analiza dhe studime që do të shërbejnë si bazë për vendimet e ardhshme në lidhje me këtë projekt", - thuhet në deklaratën e publikuar nga mediat kroate.