Topi, apel qytetarëve: Aplikoni për karta
Në kulmin e debatit për kartat e identitetit, kreu i shtetit, Bamir Topi, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike, si një mundësi jo vetëm për të patur një proces të rregullt zgjedhor, por edhe për të bërë të mundur pajisjen me një mjet të sigurt identiteti, si një garanci për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj integruese.
Duke marrë pjesë në festimet e Pashkës ortodokse, në qytetin e Korçës, Presidenti i Republikës nuk i është shmangur debatit për kartat, por ndryshe nga një ditë më parë, ku u bëri thirrje partive politike që të gjenin zgjidhjet e duhura, kësaj here ai u është drejtuar qytetarëve pa pasaporta, për t'u bërë pjesë e procesit të pajisjes me letërnjoftime elektronike.
"Do të dëshiroja të respektoja këtë tempull të shenjtë e të mos flisja për politikë! Besoj se jam shprehur edhe dje për këtë çështje.
Edhe njëherë mund t'ju them, edhe këtu nga Korça, që të gjithë së basku duhet të punojmë intensivisht, që të mos them çdo ditë, por çdo orë e çdo minutë, që ky proces të realizohet sa më shpejt!
Pra, edhe këtu në Korçë, të gjithë duhet të aplikojnë, pastaj të gjitha subjektet politike duhet të futen në fushatë për të arritur synimet e tyre politike, por më e rëndësishme është që pas këtyre zgjedhjeve, Shqipëria të fitojë sa më shumë nota të tjera pozitive, për të patur mundësi të shpejta që, pas anëtarësimit në NATO, të anëtarësohemi edhe në Bashkimin Evropian", - u shpreh Topi.
Gjatë vizitës së tij në Korçë, Presidenti Topi zhvilloi një takim të shkurtër edhe me disa intelektualë të Korçës, duke bashkëbiseduar me ta ngrohtësisht dhe duke nënvizuar vlerat e spikatura kulturore e intelektuale të këtij qyteti, si dhe harmoninë dhe bashkëjetesën e përsosur fetare.