Berisha: Fushatë elektorale nga Muri i Madh Kinez
Pas tempullit budist të Nanshasë, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka shfrytëzuar pjesën turistike të vizitës në Kinë, për të vizituar një nga 7 mrekullitë e botës, Murin e Madh Kinez.
Por, përveç anës turistike, ku ai ka ngjitur më shumë se 1500 shkallë në të, kreu i qeverisë është përpjekur që edhe prej këtij vendi historik të përcjellë mesazhe të qarta për kundërshtarët e tij politikë në Shqipëri.
Kështu, i pyetur nga gazetarët mbi impresionet rreth kësaj vizite, shefi i qeverisë shqiptare e ka krahasuar ngjitjen në të si një ogur i mirë për garën e ardhshme zgjedhore në Shqipëri. "Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson.
Kjo është merita e ngjitjes. Por, të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez, më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo Kryeministër tjetër që ka vizituar murin.
Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim.
Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare", - tha Berisha për mediat. Vizita e Berishës është zhvilluar në pjesën e Badalingut të Murit Madh Kinez, pjesa me strategjike e murit mijëravjeçar, i ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme.
Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe "çelësi i portës veriore të Pekinit", është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987.
Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.