Olldashi: Mustafaj i ngarkuar me fantazi konspirative
Debati mediatik mes ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, dhe ministrit aktual të Transporteve, Sokol Olldashi, nuk njeh kufij.
Pas akuzave që bëri disa ditë më parë Mustafaj, në drejtim të Olldashit, duke e konsideruar atë si intrigant, ka ardhur përgjigja e këtij të fundit, i cili gjatë një emisioni televiziv në "Ora News", ka injoruar tërësisht deklaratat e Mustafajt.
Duke iu referuar akuzave të disa ditëve më parë të Besnik Mustafajit, i cili akuzoi ministrin e Transporteve se ishte minues i fushatës për zgjedhjet në PD-në e Tiranës, Olldashi është përgjigjur se komentet e tij nuk kanë asnjë rëndësi për të.
Ndërsa për deklaratën tjetër të Mustafajt, se "Olldashin e ka përdorur Jozefina, e kanë përdorur disa njerëz të cilët mendonin se kandidimi im i bënte dëm PD-së", Olldashi është shprehur se "Kjo është një fantazi komplotiste e Mustafajt dhe që nuk meriton vëmendje".
Ndërkohë, gjatë këtij emisioni, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka folur gjithashtu edhe për problemin e kartave, duke e konsideruar këtë si një çështje të stisur prej socialistëve.
Duke iu referuar pikërisht ultimatumit që bëri dje PS-ja, për marrjen e vendimit përfundimtar për karta falas për të gjithë qytetarët që s'kanë pasaportë, Olldashi ka deklaruar se këto deklarata tregojnë qartë për frikën që kanë socialistët se mos i humbasin zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti po vazhdon normalisht, pavarësisht frikës që po reflekton opozita për garën e ardhshme elektorale. Në emër të mazhorancës, ai ka dhënë garanci për të përmbushur të gjitha standardet zgjedhore, duke përfshirë këtu edhe pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike.