E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mban premtimin elektoral, ul me 5 vjet moshën e pensionit për minatorët



Këshilli Ministrave miratoi dje projektligjin për të ulur me 5 vjet moshën e pensionit për profesionin e minatorit. Kryeministri Berisha e konsideroi vendimin përmbushje të një premtimi elektoral të qeverisë për këtë kategori. “Minatorëve iu premtua ulja e moshës së pensionit me 5 vite. Edhe ky ligj shkon në Parlament. Minatorët në Shqipëri nuk do të dalin 65 vjeç në pension, por 60”, - është shprehur kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Berisha bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Financave do të paraqesë edhe skemën për rritjen e pensionit për minatorët.
“Ministria e Financave ka marrë porosi dhe udhëzimin që të paraqesë skemën e rritjes së pensioneve të tyre që minatorëve u është premtuar, së bashku me uljen me 5 vjet të moshës së pensionit. Ne duhet të jemi realistë. Ata kanë qenë njerëzit që kanë kontribuuar në të ardhurat kombëtare më shumë dhe që kanë marrë më pak. Tani është koha që pensionet e tyre të rivlerësohen, në mënyrë që edhe ata të ndiejnë qëndrim të ri ndaj tyre”, - është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›