Rritet akciza për mallrat e luksit, taksat e qeverisë shtrenjtojnë artikujt e konsumit
Rritja më e fundit e një pjese të taksave për shërbimet dhe produktet e ndryshme, kryesisht me origjinë nga importi, kanë prekur edhe mallrat e luksit. Një pjesë e tyre futen direkt tek artikujt e konsumit bazë si kafeja, cigaret dhe pijet alkoolike, duke shtrenjtuar kështu koston e jetesës për xhepat e shqiptarëve. Kjo lidhet me konsumin direkt të këtyre artikujve, prej të cilëve qeveria synon të arrijë një normë të caktuar të ardhurash për buxhetin e boshatisur të shtetit. Mallrat që preken direkt nga këto rritje janë artikujt e luksit (artikujt më të shtrenjtë), si cigaret, kafeja, pijet alkoolike, kozmetika, bizhutë dhe hidrokarburet. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, barra që duhet të paguajnë vetëm importuesit e naftës për çdo litër karburant gjatë këtij viti do të sjellë 2 miliardë lekë shtesë në arkën e shtetit. Ekspertët e ekonomisë kanë parashikuar se rritja e peshës së akcizës ndaj PBB-së do të arrijë në 3.8 për qind në vitin 2009. Ky nivel do të jetë i qëndrueshëm edhe gjatë viteve në vijim, ku nga 3.5 për qind e PBB-së, që ishte parashikuar në buxhetin suplementar të vitit 2008, ajo do të rritet më tej gjatë këtij viti (2009) dhe kështu në vazhdim. Vetë ekspertët e ekonomisë e kanë bazuar parashikimin e tyre në disa skenarë për realizimin e këtyre shifrave. Mes tyre është trendi historik i realizimit të të ardhurave nga akciza, aspektet makroekonomike, siç është rritja ekonomike 6.3 për qind, si dhe një normë konstante inflacioni përgjatë periudhës prej 3 përqindësh. Gjithashtu, një shtysë për këtë parashikim të realizimit të të ardhurave nga akciza është edhe përmirësimi administrativ dhe ndryshimi i normave të akcizës, që parashikohen të jetë rreth 8 për qind në vitin 2009. Kjo për shkak të harmonizimit të shkallës tatimore të akcizave për vitin 2009 sipas produkteve dhe niveleve të tyre të prodhimit vjetor sipas standardeve të BE-së.
Akciza
Parashikimi i të ardhurave nga akciza në fund të vitit 2009 do të jetë rreth 44 miliardë lekë, me një rritje vjetore 25 për qind, ose 3.8 për qind e PBB-së. Ndryshe nga taksat e tjera, nga akcizat qeveria parashikon një rritje të lehtë në raport me PBB-në, deri me 4 për qind. Niveli i kësaj takse, e cila aplikohet për mallrat e konsumit që vijnë nga importi (pije alkoolike, cigare, kafe, naftë) do të jetë objekt i ndryshimeve nga Ministria e Financave. Masa e ndryshimeve dhe artikujt që preken nuk janë bërë ende të ditura. Megjithatë, qeveria ka planifikuar rritjen e akcizës për naftën me 37 lekë litri. Sa i takon rritjes vjetore, akcizat do të kenë shënjestër 12 për qind rritje. "Edhe pse ndryshimi i politikave nuk është përfshirë në parashikim, në vitet që vijnë normat e akcizave për disa nga mallrat e forta pritet të harmonizohen me strukturën e akcizave në legjislacionin e harmonizuar të Bashkimit Europian", - sqaron Ministria e Financave. Mallrat e akcizës mund të dalin nga një magazinë tatimore pa pagesën e akcizës, vetëm në rastet kur ato janë të destinuara për eksport, kur janë për t’u dërguar në një magazinë tjetër tatimore të miratuar. Po kështu parashikohet lehtësira edhe për rastet kur janë furnizime për anije apo avionë, si artikuj të shitjes me pakicë për pasagjerët, me kushtin që këto anije apo avionë ndalesën e parë ta kenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Të dhënat statistikore
Në muajin maj 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën e 3,191 miliard lekë, duke zënë 8,5 për qind të totalit të importit. Sipas INSTAT-it, në krahasim me muajin prill të 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur një rritje prej 18,3 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e kanë zënë nënproduktet e naftës (49,9 për qind). Ndërkohë, në muajin mars të 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën e 3,024 miliard lekë, duke zënë 9 për qind ndaj totalit të importit. Në krahasim me muajin shkurt të 2009, në muajin mars importi i mallrave me akcizë ka pasur një ulje të lehtë prej 0,7 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e kanë zënë nënproduktet e naftës (63,2 për qind).
Sipas INSTAT-it, në muajin shkurt të 2009 importi i mallrave me akcizë zuri 9,1 për qind ndaj totalit të importit.
Rimbursimi i TVSH, bizneset kanë të drejtën të mos paguajnë dy herë
TVSH-ja për bizneset do të rimbursohet brenda 1 muaji. Nëse brenda 1 muaji autoriteti tatimor nuk ka rimbursuar TVSH-në, sipërmarrësit i lind automatikisht e drejta për të mos derdhur taksat e tjera, pasi hyn në fuqi parimi “Heshtja është miratim”. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë mbledhjes së qeverisë se "autoriteti tatimor është i detyruar të rimbursojë TVSH-në për sipërmarrësit brenda 1 muaji, ose në të kundërt do të zbatohet parimi ‘heshtja është miratim’". Gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se "ky vendim merret në vijim të mbajtjes së premtimeve elektorale". Kreu i Qeverisë sqaroi se, "sipërmarrësit do të plotësojnë formularin dhe do ta nisin atë, por nuk do të derdhin gjë derisa të arrihet shuma e TVSH-së". Sipas tij, "ky ka qenë një premtim shumë i goditur dhe kjo i jep fund njëherë e mirë arbitraritetit të shtetit, i cili nuk ka qenë i ekzagjeruar, por ka ekzistuar dhe kjo nuk duhet të ndodhë". Me këtë standard të ri, Shqipëria vendos një parim shumë të ndershëm dhe lehtësues për biznesin.
9 Korrik 2009