E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet me 5 ditë kompensimi financiar për ish-pronarët

Aplikimet nisën më 15 qershor dhe 14 korriku ishte afati i fundit. Si do të ndahen 600 milionë lekë që u vunë në dispozicion nga qeveria

Luan Kondi

Tiranë - Ish-pronarët që presin kompensimin e pronës sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave edhe pse zyrtarisht duket t’i kenë paraqitur kërkesat e tyre derti më 14 korrik do të kenë në dispozicion edhe disa ditë shtesë deri mbylljen e asaj javë. Shtyrja me 5 ditë do të bëhet me të drejtë pasi në VKM nuk thuhet nëse 30 ditët afat do të jenë ditë pune apo thjesht ditë kalendarike. Nisur nga kjo AKKP-ja do ta shtyjë deri në fund të javës afatin për paraqitjen e dokumentacionit. Ky vendim merret kur duhen edhe pesë ditë nga përfundimi i afatit.
Kompensimi
Ishin lënë 30 ditë afat, duke filluar nga 15 qershori, që ish-pronarët, të cilët nuk kanë përfituar nga kompensimi financiar i këtyre viteve, të nisin aplikimet. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka nisur të pranojë të gjitha aplikimet e subjekteve, dhe vetëm pas përfundimit të kësaj faze ajo do të merret me shpërndarjen e fondit të kompensimit. Pak kohë më parë qeveria miratoi fondin e ri për kompensimin e ish-pronarëve të shpronësuar në vite, duke iu dhënë atyre mundësinë për të përfituar. AKKP-ja filloi procedurat për pritjen e kërkesave dhe regjistrimin e tyre ditën më 15 qershor dhe sipas njoftimit të këtij institucioni, si ditë e fundit për aplikimet do të ishte 14 korriku, e përcaktuar kjo në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Si rregull subjektet që do të përfitojnë nga ky kompensim nuk duhet të kenë përfituar nga kthime dhe kompensime të mëparshme dhe njëkohësisht nuk duhet të kenë përfituar nga shpërndarja e tokës sipas ligjit 7501. Në ligj përcaktohet se ish-pronarët do të përfitojnë kompensim deri në 200 metra katrorë truall sipas vlerës së tregut.
Përfituesit
Për këtë proces kompensimi mund të aplikojë kushdo që nuk ka bërë asnjëherë aplikim gjatë viteve të mëparshme. Sipas AKKP-së, subjektet e interesuara duhet të paraqesin dokumentacionin si vijon: vendimet e komisioneve së bashku me plan-vendosjen përkatëse, aktin e trashëgimisë, si dhe prokurën e posaçme. Sipas AKKP-së, personat që kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitin 2008 dhe nuk kanë përfituar për shkak të mbarimit të fondit të kompensimit, ata do të kenë më pak dokumentacion për të paraqitur. Ata do të plotësojnë vetëm formularët. Ky është viti i pestë që në buxhetin e shtetit parashikohet fond për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për këtë vit pritet që të kompensohen financiarisht rreth 150 ish-pronarë, nga 600 që nuk përfituan vitin e kaluar. Procedurat e aplikimit janë të hapura edhe për ata qytetarë që nuk përfituan nga aplikimi i një viti më parë, por edhe për gjithë të interesuarit e tjerë që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë më parë në këtë proces. Për ata që ishin të listuar në vitin 2008 dhe që nuk u shpallën fitues, aplikimi do të jetë vetëm me një kërkesë të thjeshtë pranë zyrave të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Buxheti

Rreth 2,1 miliardë lekë parashikon të shpenzojë Qeveria deri në 2011-n për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Në programin buxhetor afatmesëm, theksohet se nga viti në vit shifra e ish-pronarëve që do të përfitojnë të holla do të jetë rreth 500, ndërsa fondet do të shtohen rreth 100 milionë çdo vit. Në vitin 2009 kjo shifër është miratuar tashmë në vlerën 600 milionë lekë të reja, për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2011 plot 800 milionë lekë do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar.

Riaplikimi

Edhe ata që kanë aplikuar një vit më parë, por nuk kanë përfituar pasi mbaroi fondi i vënë në dispozicion prej 500 mijë lekë të reja, kanë të drejtën legjitime që të aplikojnë serish. Ata duhet të plotësojnë vetëm dy formularët tip, një është kërkesa dhe tjetri deklarata, duhet të kenë dëshmi trashëgimie në rast se kanë ndryshuar trashëgimtarët nga viti 2008 dhe duhet të kenë prokurë të posaçme për ndryshimin e tyre. Ata që kanë kryer deklaratë të rreme përjashtohen menjëherë nga aplikimi. Subjektet e shpronësuara që kanë paraqitur kërkesën për kompensim në vitin 2005, 2006, 2007 dhe 2008, të cilët vërtetojnë shlyerjen e detyrimit, nuk e paguajnë tarifën e aplikimit për të përfituar në vitin 2009.

Përfitojnë kompensim

1. Ata që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme
2. Kthim fizik të pjesshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt
3. Nga e drejta e parablerjes
4. Nga zbatimi i ligjit nr. 7501 datë 15.07.1991

Dokumentacioni

a. Formulari tip 1 (kërkesë)
b. Formulari tip 2 (deklaratë)
c. Vendimin e AKKP-së së bashku me plan-vendosjen
d. Dëshmia e trashëgimisë me akt noterial dhe certifikatë familjare
e. Fotokopje e noterizuar e dokumentit të identifikimit, ose certifikatë personale me fotografi të personit që ka prokurën e përfaqësimit
f. Dokumenti që vërteton vendbanimin më datë 19.07.1991
g. Mandat pagesën për shumën 200 lekë

Dokumentacioni për ata që kanë aplikuar në vitin 2008

a. Formulari tip 1 (kërkesë)
b. Formulari tip 2 (deklaratë)
c. Dëshmi e trashëgimisë kur ka ndryshime nga viti 2008 të trashëgimtarëve të ligjshëm
d. Prokurë e posaçme, vetëm në rastet, kur ato të paraqitura gjatë procesit të kompensimit për vitin 2008, kanë kufizime në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla dhe kur ka ndryshime të trashëgimtarëve të ligjshëm
e. Për personat që nuk kanë vërtetimet e SAMT-ve në dosje, duhet të paraqesin dokumentin, që vërteton vendbanimin me datën 19.07.1991

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›