Berisha mbledh Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, gati 320 projekte rrugësh
Kryeministri Sali Berisha i cili dje mblodhi Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, ka premtuar se qeveria e tij do të finalizojë rreth 320 projekte të reja rrugësh, nga Saranda në Tropojë dhe që kapin shifrën e 400 milionë dollarëve. Këto projekte sipas kreut të ekzekutivit, janë pjesë e 17 mijë km rrugë të premtuara për tu shtruar. “Janë mbi 320 projekte në rrugët e vendit, nga Saranda në Tropojë të cilat do finalizohen. Këto rrugë kanë një shtrirje në të gjitha qarqet e vendit, nga ai i Kukësit në atë të Gjirokastrës. Jemi zotuar për 17 mijë km rrugë. Projektet janë në bashkitë dhe komunat e vendit dhe financohen nga një fond i veçantë”, - u shpreh kryeministri. Sipas Berishës, në projektet për rrugët do të përfshihen si bashkitë ashtu edhe komunat pasi sipas tij, “Këto janë rrugë me impakt të madh për qarqet, sepse janë rrugë rajonale, për të cilat në 4 vjet qeveria ka garantuar edhe 400 milionë dollarë të tjera”. Ndër të tjera, kryeministri theksoi se këtë vit gama e investimeve do të jetë më e gjerë, pasi sipas tij, rreth 40 për qind e popullsisë jeton në fshat. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se, projektet për zhvillimin e rajoneve përfshijnë edhe infrastrukturën e qarqeve, si dhe rimëkëmbjen e bujqësisë nëpër fshatra ku ky sektor ndodhet në gjendje të vështirë. Në këtë mbledhje u fol për më shumë investime në të gjitha sektorët, ndërsa kryeministri vuri theksin tek financimet në rritje për fermerët, ku sipas tij, “qeveria këtë vit ka rritur financimin për fermerët dhe se po kombinohen të gjitha format, nga kreditë e buta dhe grantet, deri tek kreditë e forta”.
31 Korrik 2010