E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Shkurtimi i fondeve për investime publike, goditja e radhës



Shkurtimi me 20 miliardë lekë i investimeve publike në rishikimin që qeveria i bëri buxhetit të këtij viti, do të thellojë krizën që ka përfshirë sektorin e ndërtimit. Instituti i Statistikave konstatoi se gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, ky sektor shënoi një rënie prej 21.1 për qind. Ndërtuesit deklarojnë se bllokimi i projekteve të infrastrukturës do të jetë goditja e radhës që rrezikon të çojë drejt kolapsit firmat në këtë sektor, çka do të shoqërohet me rritje të papunësisë. Ndërtuesit shpjegojnë se, as kthimi i emigrantëve për pushime, gjë që pritet të shoqërohet me blerje të apartamenteve nga ana e tyre, nuk do të përmirësojë gjendjen e sektorit. Kjo pasi ka vetëm interes i cili nuk është konkretizuar ende në shitje banesash. Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë me masa nxitëse për të nxjerrë sektorin e ndërtimit nga kriza, që sipas tyre zgjat tashmë prej 3 vjetësh.

Kontroll në tregjet e Tiranës, kapen tonelata me ushqimet të skaduara

Inspektorati i Sigurisë Ushqimore dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë asgjësuar
rreth 50 kv vaj të falsifikuar me ambalazh plastik dhe 50 kv produkte të tjera ushqimore të cilat tregtoheshin të skaduara jashtë afatit të përdorimit. Inspektorët kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në tregun industrial, në ish-“Qytetin e Nxënësit”, ku kanë konstatuar produkte ushqimore që tregtoheshin pa u shoqëruar me certifikatën e sigurisë dhe cilësisë. Në këtë treg, ku furnizohen tregtaret që vijnë nga rrethet, apo zonave periferike, abuzohet duke shitur më lirë produkte që nuk përmbushin standardet. Ky treg konsiderohet nën parametrat e standardit për tregtimin e produkteve ushqimore në tërësi, por dhe atyre me origjinë shtazore, pasi ato tregtohen në diell dhe në ambiente të hapura.
Inspektorët theksojnë mungesën e ujit dhe kushtet e papërshtatshme higjeno-sanitare.

OSSH-ë përfundon remontin në stacionin e ish-uzinës “Dinamo”

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka përfunduar dje remontin e kryer në nënstacionin e ish-uzinës “Dinamo”, në kryeqytet. Burime zyrtare nga OSSH-ja bënë të ditur se, “remonti i nisur që prej ditës së hënë përfundoi dje në orën 15:00”. Sipas burimeve, disa zona të Tiranës, si Bregu i Lumit, Uzina Dinamo, rruga “Jordan Misja”, “Siri Kodra”, “Josif Pashko”, Babrru dhe Paskuqan nuk do të kenë më ndërprerje të energjisë. OSSH-ë njofton se furnizimi me energji nuk do të mungojë edhe në disa qytete si, Fushë-Arrëzi, Puka, Laçi, Memaliaj, Fieri, Përrenjasi, Librazhdi, Skrapari, Poliçan, etj. Gjithashtu, po dje OSSH-ja njoftoi edhe nisjen e remonteve dhe kufizimeve të reja nga datat 2-6 gusht, të cilat do të kryhen sipas hartës dhe linjave të tabelës.

Tabela////////////////////////////
Linja Tirane-Mëzez-Valias. Për shkak të këtyre punimeve nga ora 09.00-16.00 do të jenë pa energji elektrike: Mëzezi, Kashari, Valiasi, Laknasi, Tapiza.

Linja Kavajë-Rrogozhinë. Pa energji nga ora 09.00-16.00: Rrogozhina

Nënstacioni Përrenjas. Pa energji nga ora 09.00-16.00 Përrenjasi dhe zonat përreth

Nënstacioni Rubik. Pa energji nga ora 09.00-16.00: Rubiku, Rrësheni, Kaçinari

Nënstacioni Vau i Dejës. Pa energji nga ora 09.00-16.00: Bashkia Vau i Dejës

Nënstacioni Krastë (Tepelenë). Pa energji nga ora 09.00-16.00: Krahës, Qesarakë

Nënstacioni Çorovodë. Pa energji nga ora 09.00-16.00: Rrethi Skrapar

Nënstacioni Plastmas dhe linjës 35 kv Lushnjë-Hysgjokaj, Lushnjë-Mërtish. Pa energji nga ora 09.00-16.00 Lushnja, një pjesë e fshatrave, komunat Hysgjokaj, Mërtish

Nënstacioni Selenicë. Pa energji nga ora 09.00-16.00: Selenica

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›