E Diel, 1 Nëntor 2026

Rënia e kreditimit, biznesi kthen sytë nga shoqëritë e kursim-kreditit



Ervin KOÇI

Bankat e nivelit të dytë kanë treguar shenja vështirësie në aktivitetin e tyre gjatë vitit të kaluar, por kjo gjë nuk mund të thuhet për shoqëritë e kursim-kreditit. Ato gjatë vitit të kaluar por edhe në pjesën e parë të këtij viti kanë shënuar rekorde në aktivitetin e tyre. Shoqëritë e kursim-kreditit rritën portofolin e tyre të kredisë edhe në vitin 2009, ndonëse me një normë rritje jo shumë të lartë, prej 10 për qind, më pak se arritja prej 13 për qind e realizuar nga sektori bankar. Në fund të vitit 2009, teprica e kredisë së shoqërive të kursim-kreditit arriti në 4.3 miliardë lekë. Ndonëse zë një peshë shumë të ulët në totalin e portofolit të kredisë të sistemit financiar, aktiviteti i shoqërive të kursim-kreditit paraqitet shumë i rëndësishëm, sepse është i adresuar veçanërisht në zonat rurale, aty ku aksesi në shërbimet bankare është i ulët. Si e tillë, mikrokredia, në të gjithë botën vlerësohet si një motor i rëndësishëm zhvillimit për zonat rurale. Një tipar pozitiv për shoqëritë e krusim-kreditit është norma shumë e ulët e kredive me probleme, që në fund të vitit 2009 ishte 2 për qind, nivel shumë më i ulët krahasuar me sektorin bankar, që në të njëjtën periudhë regjistronte një normë të kredive me probleme në 10.5 për qind. Në fund të vitit 2009, totali i aktiveve për shoqëritë e kursim-kreditit vlerësohet në 4.8 miliardë lekë, apo 11.6 për qind më shumë krahasuar me fundin e vitit 2008. Pesha e aktiveve të tyre përbën rreth 0.5 për qind të totalit të aktiveve të sistemit financiar.

Shoqëritë
Shoqëritë e kursim-kreditit vijojnë të shfaqen fitimprurëse, megjithëse me një rezultat neto më të ulët krahasuar me atë të gjeneruar gjatë vitit paraardhës. Konkretisht, ky rezultat përllogaritet në 37 milionë lekë, nga rreth 57.3 milionë lekë që ishte në vitin 2008. Këto shoqëri, klasifikohen si korporata të tjera depozituese për shkak të aktivitetit të tyre disi të veçantë që përfshin pranimin e depozitave nga anëtarët e shoqërive, por që nuk klasifikohet si aktivitet bankar. Ato janë subjekt i licencimit dhe mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe janë pjesë përbërëse e unioneve të shoqërive të kursim-kreditit, të cilat kanë për detyrë të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë gjendjen financiare dhe normat e mbikëqyrjes mbi baza individuale dhe në mënyrë të përmbledhur për të gjithë rrjetin e shoqërive të kursim-kreditit, anëtare të unionit.

Mikrofinanca
Pavarësisht krizës ekonomike që shoqëroi vitin 2009, institucionet e mikrofinancës kanë vijuar t’i japin mbështetje me kredi sektorit të fermerëve. Duke qenë se bankat e kanë tkurrur konsiderueshëm masën e kredisë për bujqësinë, për fermerin zgjidhja e vetme janë institucionet e mikrofinancës, që marrin mbështetje nga organizmat ndërkombëtare, kurse nga qeveria fare pak. Kryetarja e Bordit Drejtues të Unionit të Kursim Kreditit, Zana Konini, tha gjatë asamblesë, se harta e aktivitetit për financimin e fermerëve është shtrirë edhe në dy rrethe në 2009-n, përkatësisht në Pogradec dhe Malësi të Madhe, pra në 200 fshatra. Sipas statistikave zyrtare, janë mbi 18,000 fermerë që kanë përfituar kredi, ndërsa në vitin 2010 synohet rritja e numrit të tyre. Portofoli i kredisë për këtë sektor arrin 3,9 miliardë lekë dhe depozita në vlerën e mbi 1,1 miliardë lekë.

31 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›