Berisha mbledh Kryesinë, shmang zërat "kritikë"
Ferdinand Xhaferri u emërua dje sekretar për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike. Në një mbledhje Kryesie të papritur, ku zërat "kundër" nuk ishin njoftuar, Xhaferrit iu besua detyra që më parë i përkiste Spartak Ngjelës. Tre vjet pas "ngrirjes" së Ngjelës nga të gjitha strukturat e PD-së dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare, Kryesia e PD-së më në fund ka bërë zëvendësimin, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe, ky funksion nuk është ushtruar nga askush. Burimet nga mbledhja e Kryesisë bëjnë të ditur se propozimin për emrin e Xhaferrit e ka bërë kreu i partisë, Sali Berisha. Nevoja për të pasur një prej figurave të saj në funksion të marrëdhënieve me publikun, bëri që Kryesia t‘ia besojë këtë post Ferdinand Xhaferrit, një prej gjashtë deputetëve të Durrësit. Ngjela la Partinë Demokratike pas një sërë përplasjesh mes tij dhe Kryeministrit Berisha. Por kulmi i acarimit të marrëdhënies mes tyre ishte publikimi i një bisede, ku Kryeministri shprehte pakënaqësi në lidhje me kundërshtimet publike që bënte Ngjela. Pas bërjes publike të videos, demokratët akuzuan Ngjelën, ndërsa një mbledhje e kryesisë e "ngriu" atë nga funksionet që mbante në parti. Që nga ai moment, Ngjela u largua nga grupi parlamentar i PD-së dhe nuk mundi të ushtronte funksionin e sekretarit të marrëdhënieve me publikun.