E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, "mik" në shtëpinë e Berishës

Menjëherë pasi u nënshkrua marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, në Shqipëri mbërriti përsëri biznesmeni boshnjak, Damir Fazlliç. Emisioni investigativ "Fiks Fare" transmetoi dje pamje ku Fazlliç është parë rreth mesnatës së datës 25 mars 2009 në një nga rrugicat që të nxjerrin në Rrugën e Elbasanit në Tiranë. Një kamera amatore e ka filmuar biznesmenin e njohur teksa dilte nga pallati ku banon Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Ka zbritur nga pallati ku banon Kryeministri Berisha rreth orës 23.15 dhe ka qëndruar për disa sekonda përpara hyrjes së pallatit. Disa persona të njohur si punonjës të Gardës së Republikës, nga ata që shoqërojnë personalitete, i janë afruar dhe kanë lajmëruar shoferin e makinës që do e shoqëronte. Pak sekonda më pas është afruar një makinë fuoristradë tip "Benz Mercedes ML" me ngjyrë gri dhe targa shqiptare, ku biznesmeni Fazlliç ka hipur në vendin e pasmë të pasagjerit. Makina është larguar së bashku me Fazlliçin. Hera e fundit që Fazlliç është parë në Tiranë ka qenë kur ai dha deklarimet e tij në prokurori. Prokuroria e Tiranës nisi hetimet e saj në lidhje me 34-vjeçarin Damir Fazlliç, pas blerjeve të disa pronave nga ana e tij në vendin tonë, pa pasur një aktivitet. Prokuroria u është referuar blerjeve të tij në Porto Romano, ndërkohë që shoqëritë e themeluara nga Fazlliç rezultojnë me kapital zero. Fillimisht organi i akuzës sekuestroi kompanitë e Fazlliç, një truall prej 12 hektarësh në Porto Romano, të cilat më pas u zhbllokuan me vendim gjykate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›