Britanikët: Qeveria cenoi pavarësinë e prokurorisë
Ministria e Jashtme britanike publikoi dje raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut në botë. Në një seksion të veçantë trajtohen edhe të drejtat e njeriut në Shqipëri. Që në fillim të raportit thuhet se pavarësisht se Shqipëria ka firmosur një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, vazhdon të ketë vështirësi në implementimin e legjislacionit dhe reformat në disa fusha. Hartuesit e raportit vërejnë se korrupsioni mbetet një çështje serioze, e cila është një pengesë me ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e njeriut. Më tej, në raport analizohet reforma zgjedhore për të cilën britanikët shprehen se qeveria shqiptare ka hedhur disa hapa pozitivë në drejtim të përgatitjes së zgjedhjeve, por më shumë duhet bërë që këto të jenë të lira. Në veçanti, qeveria duhet të garantojë pavarësinë e tyre. Sikurse edhe në raportin e vitit të kaluar, edhe në këtë raport shprehet shqetësim për progresin e pakët në reformat në drejtësi. Madje, në raportin e këtij viti ngrihet shqetësimi për ndërhyrjen e qeverisë në pavarësinë e prokurorisë. "Disa nga masat e marra nga qeveria, në veçanti ligji për Prokurorinë e Përgjithshme, vënë në pikëpyetje pavarësinë e organit të kryeprokurorit dhe organeve të tjera të drejtësisë", vijon raporti. Për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve edhe disa fëmijë, raporti vlerëson se kjo ngjarje vë para përgjegjësisë autoritetet e vendit, të cilat duhet të jenë garante të ruajtjes së jetës së qytetarëve. Incidenti i Gërdecit, përfshi rrethanat e kësaj tragjedie, vijon raporti, janë duke u hetuar nga drejtësia shqiptare. Rezultatet e tij do të ndiqen nga afër, duke lënë të kuptohet interesi i qeverisë britanike në përfundimin e këtyre hetimeve. Në fund, raporti mbyllet me shqetësimin e përsëritur se qeveria ka tentuar të censurojë pavarësinë e medias. Raporti në fjalë duket të jetë në të njëjtën linjë me deklarimet e bëra publike në Shqipëri herë pas here nga ana e ambasadorit të Britanisë së Madhe në vendin tonë, Fraser Wilson. Por britanikët nuk janë të vetmit që ngrenë zërin për raportet mes prokurorisë dhe ekzekutivit. Në raportet e mëparshme, Departamenti amerikan i Shtetit u shfaq mjaft i ashpër në konstatimin për ndërhyrje të qeverisë tek organi i akuzës. Konkretisht, edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, shembulli më i freskët për këtë konstatim ishte rasti i Gërdecit dhe hetimeve për të. Raporti i Ministrisë së Jashtme të Britanisë është një dokument analitik, që paraqitet çdo vit dhe që pasqyron të drejtat e njeriut në shumë vende të botës.
Bosch: Kuvendi rrezikon të cenojë prokurorinë
Ligji mbi prokurorinë, miratuar në dhjetorin e vitit të shkuar, i lë të hapur mundësinë Kuvendit të vërë në rrezik pavarësinë e prokurorisë në të ardhmen. Ky ishte konstatimi i kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, dy ditë më parë. Sipas tij, edhe pse shumë prej ndryshimeve të miratuara rishtazi mund të shërbejnë për përmirësimin e kornizës ligjore për ndjekjen penale, ka edhe disa të tjera që mund të keqpërdoren nga Kuvendi. Sakaq, në vlerësimin e Bosch kritikat e prokurorëve për heqjen e imunitetit dhe masat disiplinore janë të pajustifikuara. Në rrëfimin e tij, Bosch thekson rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, teksa sqaron se OSBE-ja nuk ka asnjë përgjegjësi për procesin e kartave të identitetit. Ambasadori bën gjithashtu thirrje për luftë të fortë ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor.