E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbledh Prefektët: Ndërtimi i rrugëve dhe mbrojtja e mjedisit, faktorët kyç të zhvillimit të turizmit

Kreu i qeverisë kërkon plan masash dhe zbatim të përpiktë të ligjit ndaj krimit mjedisor


Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një takimi të zhvilluar me Prefektët e të gjitha qarqeve në vend, se çështje primare për Qeverinë mbetet përmirësimi i infrastrukturës dhe mbrojtjen e mjedisit, si dy faktorë të rëndësishëm që kontribuojnë në kthimin e Shqipërisë në një vend tërheqës për turistët. Kryeministri iu referua gjërësisht fushës së turizmit, ku edhe iu kujtoi prefektëve, se çështje e rëndësishme për zhvillim të kësaj fushe nuk është vetëm infrastruktura, por edhe trashëgimia kulturore e arkeologjia si dhe mjedisi në tërësi. “Fenonemi më i fuqishëm madhor këtë vit ka qenë bum-i turistik. Qeveria ka bërë përpjekje tërësore për t’i paraprirë këtij zhvillimi të fuqishëm që këtë vit njohu rritje të madhe, më shumë vizitorë se banorë. Vëmendja të mos fokusohet vetëm tek brigjet e detit, por edhe më tej, tek trashëgimia kulturore dhe arkeologjike e vendit. Të gjitha këto në funksion të turizmit, ky fluks i madh, miliona e miliona vizitorë në këtë vend gjeografikisht të vogël duhet të kenë mundësi të njihen sa më shumë, jo vetëm me ujërat dhe brigjet, por më të gjithë vendin. Krahas këtyre investimeve për infrastrukturë rrugore duhet të rriten investimet në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë”- u shpreh kryeministri. Në këtë drejtim, Berisha tha se qeveria do të përfshijë në këtë fushë një zë të veçantë për njësitë e qeverisjes vendore në fondin e zhvillimit të rajonit. “Pra nuk do të aplikohet vetëm për rrugë ujësjellësa dhe kanalizime, por edhe për vend ndodhjet, qytezat, kështjellat e kohërave të shkuara. Të gjitha këto do të bëhen në një partneritet të ngushtë me qeverisjen vendore me të cilat ju do të keni partneritet të veçantë. Ju zotërinj prefektë do përcaktoni përparësitë, që do të jenë përparësitë e qarkut dhe në përputhje me to të adresojmë fonde”- vuri në dukje kreu i qeverisë. Një çështje shumë e rëndësishme, tha shefi i ekzekutivit, është edhe mbrojtja e mjedisit. Sipas Berishës, ligji duhet të veprojë ndaj çdo krimi për mjedisin. “Mjedisi është jeta, mbrojeni atë. Duhet të sjell në vëmendje këtë çështje, krim ndaj mjedisit. çdo krim ndaj mjedisit është i patolerueshëm dhe duhet të marrë ndëshkimin e duhur ligjor. Ky vend është në zhvillim të shpejtë, por asgjë nuk ka më jetike për një zhvillim të duhur sesa mbrojtja e mjedisit. Mjedisi është jeta”- tha Berisha. Berisha kërkoi që brenda 2 javëve prefektët të kenë sjellë inventarin e gjithë investimeve që janë bërë në prefektura në rrugë kombëtare dhe jo kombëtare, rurale dhe dytësore, në kanalizime, ujësjellës, shkolla dhe qendra shëndetësore. Kryeministri kujtoi se prefekti disponon të gjithë pushtetin e ligjeve nën prefekturën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›