Sesioni i ri parlamentar e gjen sallën e seancave me kushte bashkëkohore

Modernizohet plotësisht salla e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë, duke i dhënë një imazh krejt tjetër nga 5 javë më parë, kohë kur filluan punimet. Krahas punës për rikonstruksionin e sallës janë kryer edhe shumë punime të tjera për krijimin e mjediseve të ndryshme brenda godinës për gazetarët deputetët e të ftuarit
Që pas mbylljes së sesionit parlamentar në korrik, salla e seancave plenare është shndërruar në një kantier ndërtimi. Në më pak se një muaj po punohet me një ritëm të jashtëzakonshëm për rikonstruksionin e saj. është bërë një punë kolosale. Punëtorët kanë punuar pa pushuar asnjë ditë dhe me tre turne që të mund të arrihet nisja e sesionit të ri. Ky rikonstruksion ishte një sfidë dhe një ndërhyrje e tillë rrënjësore nuk ishte bërë që prej dhjetëra vitesh. Kjo sfidë vjen edhe për faktin se parlamentet janë institucionet që konsiderohen në të gjithë botën si pjesë shumë e rëndësishme e imazhit të një vendi. Përmes një pune të pabesueshme, në një kohë rekord, po rikonstruktohet gjithçka që ishte krejtësisht e amortizuar. është punuar gjatë gjithë muajit gusht, dhe çdo detaj i punimeve është ndjekur ditë pas dite. Janë kryer qindra metër kub gërmime e suvatime, në mjediset e sallës.. është punuar 24 orë në 24 dhe shpeshherë janë hasur edhe vështirësi të mëdha dhe pengesa të papritura gjatë punimeve. Veçanërisht një punë e madhe është realizuar edhe në tunelet poshtë sallës së seancave. Krahas punës për rikonstruksionin e sallës janë kryer edhe shumë punime të tjera për krijimin e mjediseve të ndryshme brenda godinës për gazetarët deputetët e të ftuarit. Një punë rrënjësore është bërë në zyra, korridore e salla. Po rikonstruktohen të gjitha lozhat, lozha e gazetarëve, si dhe mjedise të reja që i shërbejnë punës së deputetëve. Tavani i vjetër prej 450 m2 është shembur për t’u zëvendësuar me një të ri, i cili do të ketë një ndriçim të ftohtë, nga më cilësorët. Ky ndriçim është një risi jo vetëm për cilësinë, por edhe për faktin se do të kursejë 40% të energjisë që harxhohej më parë. Po realizohet zëvendësimi total i dyshemesë së vjetër dhe është ndërtuar një dysheme e re. Po bëhet një rikonceptim i ri i internetit të sallës. Po riinstalohet dhe rikonfigurohet nga e para i gjithë sistemi elektronik. Po ashtu edhe sistemi elektrik i amortizuar po zëvendësohet me një sistem nga më bashkëkohorët. Ky rikonstruksion ishte një domosdoshmëri përderisa në mbi 60 vjet nuk ishte bërë një ndërhyrje e tillë që do t’i japë parlamentit një imazh të ri prestigjioz.
...