Berisha mbledh ministrat për imunitetin e Mediut
"Gërdeci", vendos qeverinë "Berisha" në gatishmërinë numër një. Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur dje anëtarët e qeverisë, ku motivi kryesor i kësaj mbledhjeje kanë qenë masat që janë ndërmarrë për Gërdecin. Zyra e shtypit të Kryeministrisë bën me dije se mbledhja e djeshme ka qenë nga Grupi Ndërinstitucional për Koordinimin e Donatorëve në Rastet e Emergjencave Civile, e cila ka diskutuar për situatën e post-Gërdecit, por në të vërtetë, çështja ka qenë më e komplikuar. Raporti i fundit i Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me shpërthimin e 15 marsit, imuniteti i ish-ministrit Fatmir Mediut dhe nxjerrja e përgjegjësve përpara ligjit, ka mbledhur dje në mesditë në Kryeministri, ministrat e kabinetit "Berisha". Të gjithë anëtarët e qeverisë kanë raportuar mesditën e djeshme përpara Kryeministrit në një mbledhje që është mbajtur kategorikisht sekrete nga selia e Këshillit të Ministrave. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe burime pranë Kryeministrisë pohojnë se ajo ka pasur në fokusin e saj çështjen e Gërdecit. Duke iu referuar burimeve, është folur për masat mbi Gërdecin, por e vërteta e vendimeve që janë marrë në mbledhjen e fshehtë të Këshillit të Ministrave ngelet vetëm një mister. Ministrat janë treguar të rezervuar për të komunikuar çdo detaj i cili lidhet drejtpërsëdrejti me ish-ministrin Fatmir Mediu. Kryeministri dhe ministrat e tij kanë vendosur të dorëzojnë imunitetet, me anë të votimit të ligjit që e kufizon imunitetin, kur të miratohet në Kuvend. Ministrat e PD-së së bashku me të gjithë ministrat aleatë kanë diskutuar për më shumë se 60 minuta lidhur me masat që do ndërmerren për të menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e shpërthimit në Gërdec. Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha u shpreh se mbledhjet e qeverisë do të zhvilloheshin në mënyrë të hapur në mënyrë që i gjithë opinioni publik të informohej mbi atë që diskutonte dhe miratonte qeveria, ndërkohë që dje, mbledhja është mbajtur sekrete nga ministrat, por edhe nga selia e Kryeministrisë. Një takim i tillë në mënyrë të fshehtë duket se ka rritur ndjeshëm shqetësimin e qeverisë mbi atë që ndodhi më 15 mars. Megjithëse në mbledhjen e fshehtë është diskutuar lidhur me masat që do ndërmerren dhe nxjerrjes përpara drejtësisë së përgjegjësve të kësaj tragjedie, nuk është arritur një konkluzion përfundimtar. Vendin më të rëndësishëm në këtë mbledhje të nivelit të lartë në selinë e Kryeministrisë ka zënë edhe raporti më i fundit i dorëzuar në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme. Dosja voluminoze e prokurorisë e dorëzuar dje në kryesinë e Kuvendit ka "ngritur në këmbë" qeverinë "Berisha", e cila ka analizuar me përpikmëri detajet më të rëndësishme që përmbante ajo dosje. Parimisht, të gjithë ministrat kanë rënë dakord për lënien e imunitetit, megjithatë vlen të theksohet se kufizimi i tij kërkon 84 votat e duhura në Kuvend. Mazhoranca dhe sidomos Partia Republikane është përfshirë nga vala e akuzave kohët e fundit ku ka implikuar në çështjen "Gërdeci" ushtarakët, por nuk kanë lënë jashtë as kreun e qeverisë, i cili sipas ish-ministrit Mediu ishte në dijeni të vendit të miratuar në mbledhjen e qeverisë. Duke iu referuar burimeve pranë kësaj mbledhjeje sekrete, duket se raporti i prokurorisë ka vendosur me shpatulla pas murit kreun e republikanëve, megjithatë kreu i qeverisë nuk ka preferuar të bëjë publike faktet konkrete që përmbante dosja sekrete e prokurorisë, ai ka bërë gati ministrat lidhur me atë çka pritet të ndodhë në ditët në vazhdim dhe të marrë nga ata të gjithë informacionin e mundshëm që kërkohet nga prokuroria, por edhe që lidhet drejtpërdrejt me çështjen e Gërdecit.
Pjesëmarrësit
Ministrat në mbledhjen e "fshehtë"
Në mbledhjen sekrete të djeshme merrnin pjesë ministrat: Gazmend Oketa, Sokol Olldashi, Lufter Xhuveli, Ridvan Bode, Jemin Gjana, Bujar Nishani, Nard Ndoka dhe anëtarët e tjerë të kabinetit. Takimi në Kryeministri është zhvilluar fill pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat dhe në orën 14.30 në selinë e Këshillit të Ministrave janë parë të hyjnë ministrat një nga një. Për të evituar çdo komunikim me median, makinat që kanë hyrë në selinë e Kryeministrisë janë spostuar në vendin ku ato rrinë si zakonisht për t‘u parkuar së bashku me makinat e stafit të Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit
Ministrat në mbledhjen e "fshehtë"
Në mbledhjen sekrete të djeshme merrnin pjesë ministrat: Gazmend Oketa, Sokol Olldashi, Lufter Xhuveli, Ridvan Bode, Jemin Gjana, Bujar Nishani, Nard Ndoka dhe anëtarët e tjerë të kabinetit. Takimi në Kryeministri është zhvilluar fill pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat dhe në orën 14.30 në selinë e Këshillit të Ministrave janë parë të hyjnë ministrat një nga një. Për të evituar çdo komunikim me median, makinat që kanë hyrë në selinë e Kryeministrisë janë spostuar në vendin ku ato rrinë si zakonisht për t‘u parkuar së bashku me makinat e stafit të Kryeministrisë.