E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Liria ekonomike është përkeqësuar

Socialistët mendojnë se Kryeministri po shfaqet çdo ditë e më demagogjik përballë shqiptarëve të zhgënjyer ndaj premtimeve të pambajtura. Në një komunikim me median, ish-ministri i Financave Arben Malaj analizoi dje treguesit e lirisë ekonomike dhe deklaratat e Kryeministrit që Shqipëria është vendi me lirinë fiskale më të lartë në Evropë. "Kryeministri po mundohet të fshehë dështimet me tregues, të cilëve ose nuk i kupton impaktin, ose i deformon për demagogji paraelektorale", u shpreh Malaj. Sipas tij, liria fiskale e Shqipërisë nuk është më e ulëta në Evropë dhe nuk është shndërruar në përfitime për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. "Liria fiskale është më e lartë edhe në disa ish-republika ruse, dhe është më e ulët në disa prej vendeve më të zhvilluara evropiane", theksoi Malaj. Socialistët konstatojnë se liria ekonomike e Shqipërisë për vitin 2008, sipas raportit të institucioneve ekonomike ndërkombëtare, është përkeqësuar. Sakaq, dy elementë të lirisë ekonomike që pengojnë më shumë zhvillimin e vendit, siç janë liria nga korrupsioni dhe të drejtat e pronës, janë në nivelet më të ulëta dhe nuk janë përmirësuar gjatë 3 vjetëve të qeverisjes së PD-së", u shpreh ish-ministri Malaj. Ai nënvizoi se dështimi në luftën ndaj korrupsionit është dështimi më i madh e më konkret i qeverisë "Berisha". "Perceptimi i shqiptarëve në studimin e fundit duket se është i saktë dhe real", vijoi Malaj. Ai shtoi se çdo angazhim i qeverisë për të mos i pranuar këto shifra dhe këtë perceptim publik, e përkeqëson akoma më shumë qeverisjen e vendit. Partia më e madhe e opozitës mendon se korrupsioni elitar, kapja e shtetit, keqpërdorimi politik i administratës publike dhe fiskale janë rrënjët e këtij korrupsioni që rëndon edhe më shumë jetën e përditshme të shqiptarëve. "Shqiptarët e kanë mbështetur anëtarësimin në NATO me rreth 90%, Kryeministri në vend të tureve demagogjike duhet të luftojë kundër korrupsionit, të ulë demagogjinë dhe të rrisë rezultatet reale ndaj kësaj lufte", argumentoi Malaj. Sipas tij shqiptarët janë sot më të zhgënjyer, janë sot më të varfër dhe po shpresojnë gjithnjë e më pak te qeveria dhe politika. Reagimi i Partisë Socialiste nuk është i pari në drejtim të mbrojtjes së biznesit. Pak ditë më parë, ishin socialistët që përshëndetën vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të gjobave. Më parë selia rozë kishte shprehur kundërshtinë, duke premtuar sakaq edhe mendimin e ligjit sapo të kthehet në pushtet. Të njëjtin qëndrim socialistët e kanë mbajtur edhe për taksën e sheshtë, duke këmbëngulur se ajo po varfëron shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›